Dervishi: Zbatoni ligjin që të rritet transparenca
Në kuadër të rritjes së transparencës, si një ndër qëllimet kryesore të punës së Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, duke marrë parasysh nevojat e subjekteve minerare për t’u njohur më mirë me sistemin online të deklarimit tre mujor dhe vjetor, nisi sot konsultimi për zbatimin me eficiencë të plotë të këtij sistemi.
Gjatë ditës së sotme, por edhe nesër, subjektet private të interesuara do t’u shpjegohet edhe një herë me hollësi se si duhet të veprojnë në mënyrë që sistemi elektronik të garantojë transparencën midis AKBN dhe subjekteve minerare. Nëpërmjet këtij takimi, subjektet private patën mundësi që të pyesin dhe të marrin përgjigje për çdo paqartësi ndaj sistemi.
Drejtori Ekzekutiv, z. Dael Dervishi, i pranishëm në këtë takim, u bëri thirrje subjekteve minerare që të zbatojnë ligjin dhe të tregohen në lartësinë e duhur për implementuar ndryshimet që sjell sistemi elektronik, ose deklarimi online tre mujor dhe vjetor. “Duhet të ngrejmë një sistem me bazë të lartë të transparencës, prandaj kërkojmë edhe bashkëpunimin tuaj. Megjithatë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të vazhdojë punën e saj. Nëse nuk ka bashkëpunim, do të ketë penalitete”, – tha drejtori Ekzekutiv i AKBN, z. Dael Dervishi.
Ndër të tjera, Drejtori i Drejtorisë Minerare, z. Azbi Arapi vuri në dukje se “subjektet minerare duhet të jenë të vëmendshme në zbatimin rigoroz të ligjit” si dhe “ të bashkëpunojnë me AKBN-në në rast se ata vërejnë apo konstatojnë shkelje nga ana e inspektorëve që kryejnë kontrolle dy herë në vit pranë subjekteve minerare”. Z. Arapi sqaroi subjektet në lidhje me VKM nr. 741 datë 09.09.2015, “Për vlerësimin dhe mënyrën e pagesës së Garancisë së Rehabilitimit dhe Investimit”
Subjektet e Qarkut të Vlorës, Korçës, Dibrës, Beratit , Gjirokastrës e Kukësit do të trajnohen gjatë ditës së nesërme.
Sistemi elektronik do t’u japë akses direkt nga faqja zyrtare e AKBN-së të gjitha palëve të interesuara, siç mund të jenë Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Banka e Shqipërisë, INSTAT, mediat, etj., në një bazë të dhënash e cila do të pasurohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në kohe reale.