Në datë 25.02.2011, në ambjentet e Hotel Tirana International u zhvillua seminari me temë “Mjedisi, Roli i Burimeve te Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë”, i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) në bashkëpunim me Caritas-in Shqiptar, për promovimin e burimeve të rinovueshme në vendin tonë dhe të kursimit të energjisë duke implementuar masa efiçente në sektorët e ndryshëm të ekonomisë dhe si rezultat duke përfituar reduktim të emetimeve në atmosferë.
Përsa i përket sfidave të energjise se shek 21, ku mbrojtja e mjedisit dhe eficenca e energjisë janë kthyer në temë aktuale për vendet e BE-së, Shqipëria si aspirante e saj, kërkon të rris ndjeshmërinë dhe sensibilizimin e shoqërise ndaj efiçencës së energjisë, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të reja dhe tradicionale të saj. Gjithashtu ky seminar kishte për qëllim diskutimin e politikave efektive kombëtare, duke pasqyruar situatën aktuale, projektet në proçes, të cilat po implementohen në hidrocentrale të ndryshme dhe ndërtesa publike; kërkesa për energji dhe zgjedhjet e konsumatorëve, modernizimi dhe zgjerimi i sektorit të energjisë drejt zhvillimit të mëtejshëm social dhe ekonomik, si dhe të integrimit në BE.
Të ftuar në këtë seminar ishin përfaqësues të huaj, nga protokolli i Kyoto-s, ekspertë të fushës së mjedisit nga Ministria e Mjedisit, specialiste të burimeve të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe grupe të tjera inetersi në nivel ekspertesh (hidroteknik, inxhinier ndërtimi etj), referimet e të cilëve kishin si kryefjalë të tyre “energjinë e pastër, si të konsumojmë energji duke ndotur sa më pak mjedisin dhe duke zbutur konsumin e saj”.