Procedurat ligjore për miratimin e Marrëveshjeve Hidrokarbure dhe Licencë Marrëveshjeve
Baza ligjore
Ligjit nr. Nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet” i ndryshuar;
Rregullore “Për Procedurat e Miratimit të Marrëveshjeve Hidrokarbure dhe Licencë Marrëveshjeve”, miratuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
Ligji nr. 10081 datë 23.02.2009 “Për Licencat, Autorizimet dhe Lejet në Republikën e Shqipërisë”.
Marrëveshja hidrokarbure duhet të kalojë në këto hapa proceduriale për t’u miratuar:
Subjektet e interesuara paraqesin pranë AKBN (në rastin e zonave që administrohen nga AKBN) ose Albpetrol-it (në rastin e zonave që administrohen nga Albpetroli) një aplikim për të hyrë në Marrëveshje Hidrokarbure;
AKBN ose Albpetrol, brënda 15 ditëve nga marrja e aplikimit, i paraqet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkesën për miratimin e fillimit të negocimeve. METE jep aprovimin ose jo për fillimin e negociatave brenda 10 ditëve nga marrja e propozimit nga AKBN ose Albpetrol.
Në rast miratimi nga METE të kërkesës, përfaqësuesit e AKBN apo Albpetrol fillojnë negocimin me subjektin e interesuar për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure. Pasi bien dakort, dokumenti nënshkruhet nga të dy palët dhe i përcillet Ministrisë për miratim brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit.
METE jep miratimin ose refuzimin e saj për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes brenda 10 ditëve nga marrja e dokumentit të nënshkruar të Termave dhe kushteve kryesore të Marrëveshjes.
Në rastin e miratimit të Termave dhe Kushteve kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, AKBN ose Albpetrol, fillojnë negocimet brenda 30 ditëve nga marrja e miratimit për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure.
AKBN ose Albpetrol i përcjellë Ministrisë për miratim draftin përfundimtar të Marrëveshjes Hidrokarbure brënda 15 ditëve nga data e firmosjes së tij, në çdo faqe nga palët. Kur drafti çohet për oponencë, atëherë rinegocimi dhe rishikimi i draftit bëhen brenda 20 ditëve nga data e marrjes së oponencës.
Drafti i nënshkruar nga palët, mund të dërgohet nga METE për oponencë si dhe për rishikim nga ana fiskale dhe ligjore, përkatësisht në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Rinegocimi dhe rishikimi i draftit në vijim të oponencës dhe opinioneve që mund të kenë nga ana fiskale dhe ligjore ministritë përkatëse kryhet brenda 20 ditëve nga marrja e oponencës dhe opinioneve, dhe pasi është rënë dakord për rinegocimin dhe rishikimin dërgohet në METE brenda 10 ditëve.
METE nënshkruan Marrëveshjen Hidrokarbure brenda 10 ditëve nga marrja e marrëveshjes së rinegociuar, në rastin e zonave të administruara nga AKBN, dhe më pas e dërgon për miratim përfundimtar në Këshillin e Ministrave
METE jep miratimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Hidrokarbure brenda 10 ditëve nga marrja e marrëveshjes së rinegociuar, në rastin e zonave të administruara nga Albpetrol, dhe më pas e dërgon për miratim përfundimtar në Këshillin e Ministrave.
Licencë Marrëveshja duhet të kalojë në hapat e mëposhtme për t’u miratuar
Albpetrol paraqet, brënda 10 ditëve nga miratimi nga METE të Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, pranë AKBN kërkesën për t’u pajisur me Licencë Marrëveshje;
AKBN përgatit brënda 30 ditëve dhe i dërgon Albpetrol-it draftin e Licencë Marrëveshjes i cili diskutohet mes Albpetrol-it dhe AKBN për një periudhë kohore 50 ditësh.
Drafti përfundimtar, i nënshkruar në çdo faqe, paraqitet brenda 10 ditëve në METE për miratim dhe nënshkrim.
METE brenda 10 ditëve nënshkruan apo kërkon bërjen e ndryshimeve. Në rast të ndryshimeve, këto duhet të kryhen brenda 30 ditëve dhe drafti i rishikuar i Licencë Marrëveshjes riparaqitet për nënshkrim.
Licencë Marrëveshja nënshkruhet nga Ministri dhe Albpetrol brenda 10 ditësh nga data e miratimit të Marrëveshjes Hidrokarbure nga Ministri.