Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Damian Gjiknuri firmosi Marrëveshjen hidrokarbure me kompaninë SHELL për bllokun 4. Në bazë të kësaj marrëveshjeje kërkimi, Kompania SHELL nis kërkimin e naftës në Bllokun 4, në jug të Blloqeve 2-3 dhe vijon programin e zbulimit të naftës, mbi bazën e pritshmërive të larta që janë krijuar nga kërkimet e deritanishme në Blloqet 2 dhe 3. Nënshkrimi i marrëveshjes nga ana e Z. Gjiknuri dhe përfaqësuesit të kompanisë SHELL z. Jon-Henk van Konijnenburg, në prani të kryeministrit të vendit, z. Edi Rama, sjell jo vetëm përfitime reciproke për të dyja palët nënshkruese, por edhe investime sociale për përmirësimin e jetës së komunitetit të kësaj zone, për arsimin profesional, të sigurisë rrugore, shërbimit shëndetësor dhe për zhvillimin e bizneseve të vogla lokale. Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, shprehu falenderimet për interesin e kompanisë ndaj burimeve natyrore të vendit. Interes që sipas tij, do të sjellë jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe zhvillim social të zonës. “Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për qeverinë shqiptare, sepse i transmeton publikut edhe një shprehje të vendosmërisë tonë për të ndryshuar qasjen në marrëdhëniet me kompanitë që shfrytëzojnë burimet tona natyrore dhe përbën një ndarje nga koha kur buxheti i shtetit përfitonte prej tyre vetëm rentën minerare. Tanimë kemi një marrëveshje që është një garanci e qartë dhe afatgjatë për përfitim reciprok, patjetër në interes të kompanisë, por edhe në interes të popullit shqiptar”, u shpreh Kryeministri. Më tej, kryeministrit vuri në dukje se prania e SHELL në Shqipëri është një shenjë e mirë se “kushdo mund ta shohë Shqipërinë po njësoj, si një vend oportunitetesh të shumta, përfshirë edhe vetë sektorin e naftës, ku, siç e nënvizoi ministri, ka ende shumë për të eksploruar dhe ka ende shumë për të zbuluar pas këtij zbulimi shumë të rëndësishëm, që presim me padurim të provohet edhe i komercializueshëm.
Ndërsa Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri. tha se marrëveshja që firmoset është rezultat i një procesi interesi të ndërsjelltë dhe një këmbëngulje e ndërsjelltë për të arritur në një proces, ku jo vetëm garantohen përfitime reciproke, po sigurohet gjenerimi që në vitet e para e qindra vendeve të punës, ndërkohë që tërësia e projektit vlerësohet të ketë një impakt me një rëndësi të jashtëzakonshme në ekonominë shqiptare. “Kjo kontratë është e para në fakt që SHELL e bën drejtpërdrejtë me qeverinë shqiptare. Është një shenjë besimi që investitorët seriozë kanë ndaj mjedisit të biznesit në Shqipëri. Sektori hidrokarbur në vendin tonë vazhdon të zgjojë interesin e kompanive të tilla dhe ky është një lajm shumë i mirë. Ka interes dhe nga kompani të tjera. Prezenca e SHELL në Shqipëri dhe vazhdimi i operacioneve të kërkimit do të ndikojë edhe në ardhjen e kompanive të tjera. Ne angazhohemi se do të bëjmë më të mirën të mirëpresim këto kompani që të investojnë në Shqipëri”, theksoi Gjiknuri.
Zv.Presidenti i SHELL, përgjegjës për operacionet e eksplorimit në Evropë z.Max Brouwers deklaroi se “nënshkrimi i bllokut nr.4 është shumë i rëndësishëm, është kontrata e parë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë SHELL. Ky dokument parashikon se si do punojmë sëbashku shpresoj në dekadat që vijnë. Fazat e para të punës do të jenë përgatitja dhe planifikimi për të kuptuar më mirë potencialin e nëntokës. Më pas do kalojmë tek eksplorimi dhe shpimi e nëse ato janë të suksesshme atëherë do jetë fillimi i investimeve të rëndësishme ekonomike dhe infrastrukturore të cilat krijojnë përfitime ekonomike në gjithë vendin”.