Nr. 8937, datë 12.9.2002
PËR RUAJTJEN E NXEHTËSISË NË NDËRTESA
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
Neni 1
Ky ligj ka për qëllim të krijojë bazën ligjore të nevojshme për vendosjen e rregullave dhe bërjen të detyrueshme të marrjes së masave për ruajtjen e nxehtësisë në ndërtesa.
Neni 2
Për qëllimet e këtij ligji, termat e përdorura kanë këto kuptime:
“Ndërtesë” do të thotë një ngrehinë, një bashkësi lokalesh, mjedis banimi, shërbimi e prodhimi me karakter publik ose privat.
“Instalim termik” do të thotë bashkësi pajisjesh termike së bashku me rrjetin lidhës, që shërbejnë për ngrohjen dhe ftohjen e mjedisit të brendshëm të ndërtesave.
“Ngrohje qendrore” do të thotë një impiant ngrohjeje, që furnizon me energji termike një ose më shumë apartamente.
“Ngrohje lokale” do të thotë një impiant ngrohjeje, që furnizon me energji termike një grup ndërtesash të ndara nga
njëra-tjetra.