Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mori pjesë në Panairin e organizuar nga Klik Ekspo Group në datat 21-24 Nëntor 2018, me titull “Energji, Transport & Infrastrukturë”. AKBN zgjodhi të marrë pjesë në këtë panair si një ndër më të rëndësishmit që organizohen çdo vit në Shqipëri, duke u përfaqësuar me stendën e saj informative për promovimin e burimeve natyrore të vendit.
Promovimi i burimeve natyrore është një prej prioriteveve më të rëndësishme të punës së AKBN, ndaj pjesëmarrja në këtë panair u vlerësua si një mundësi e mirë që investitorë të interesuar të huaj apo vendas të informohen drejtëpërdrejtë nga ekspertët e fushës të AKBN për mundësitë që ofron Shqipëria.
Gjatë ditëve të panairit pati interes në lidhje me burimet e energjisë së rinovueshme, shfrytëzimin e erës dhe diellit, potenciale që Shqipëria i ofron me shumicë. Shumë vizitorë shprehën interes për burimet e naftës dhe gazit në vendin tonë, legjislacionin në fuqi, atë hidrokarbur dhe minerar, si dhe për lehtësirat që ofron vendi ynë për këdo që vendos të investojë në këto sektorë mjaft të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Fokusi kryesor i këtij Panairi, i cili u mbështet nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ishte krijimi i një panorame të gjerë për mundësitë e investimeve dhe prurjen e zgjidhjeve për përdorimin e zgjuar dhe me kursim të energjisë elektrike, propozimin e burimeve alternative, ripërtëritjes së rrjetit të infrastrukturës rrugore me theksin e veçantë te rruga e Arbërit, projektet ambicioze madhore për transportin ajror dhe detar, hekurudhor, etj.