Nr.384, datë 20.5.2011
PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE DOKUMENTACIONIT QË REGJISTROHET NË KADASTRËN MINERARE DHE NË REGJISTRIN MINERAR, SI DHE FORMA DHE PROCEDURAT E RAPORTIMIT TË KËTIJ DOKUMENTACIONI NGA ANA E ZOTËRUESVE TË LEJEVE MINERARE
Në zbatim të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 44, pika 2 dhe nenit 56, pika 2, të ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”,
1. Regjistri minerar përfshin të gjitha të dhënat për regjimin juridik të sipërfaqeve të zonave minerare dhe të sipërfaqeve fqinje, pronësinë, situatën topografike të zonave minerare e të punimeve mbështetëse të veprimtarisë minerare, për rezervat dhe për prodhimin minerar, si dhe të dhënat për zotëruesin e lejeve minerare, si më poshtë:
A. Të dhënat për regjimin juridik të sipërfaqeve të zonave minerare dhe të sipërfaqeve fqinje:
a) Zona minerare me numër identifikues nr , për të cilën është miratuar leja minerare dhe që përfshihet në planin vjetor minerar të miratuar për vitin dhe licencuar me lejen minerare nr , datë…/ /
b) Lloji i mineralit/mineraleve, për të cilin është dhënë leja:
c) Sipërfaqja e zonës së lejuar të lejes minerare në km2:
d) Harta e zonës së lejuar të lejes minerare me koordinatat shtetërore në plan, regjimi i saj juridik sipas aktit të verifikimit të strukturës përgjegjëse (një kopje e saj origjinale).
e) Harta e zonës së lejuar të lejes minerare me koordinatat shtetërore në plan, e miratuar nga struktura përgjegjëse sipas vendimit të këshillit teknik (një kopje e saj origjinale).
f) Harta e zonave fqinje me zonën e lejuar të lejes minerare, regjimi i tyre juridik sipas aktit të verifikimit të strukturës përgjegjëse (një kopje e saj origjinale).
g) Akti i miratimit të lejes minerare që përgatitet nga drejtoria përgjegjëse në METE që mbulon veprimtarinë minerare dhe miratohet nga Ministri;
h) Formati i lejes që publikohet nga institucioni i QKL-së;
i) Emërtimi i njësisë vendore/njësive vendore ku përfshihet zona e lejuar e lejes minerare: ..
B. Të dhënat për pronësinë e tokës të sipërfaqeve të zonave minerare dhe të sipërfaqeve fqinje:
a) Akti i pronësisë së sipërfaqes së tokës së zonës së lejuar minerare apo ndryshimit të kësaj pronësie pas miratimeve nga strukturat përkatëse sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.
b) Akti i pronësisë së sipërfaqes së tokave fqinje me zonën e lejuar minerare apo ndryshimit të pronësive të tyre pas miratimeve nga strukturat përkatëse sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.
c) Akti i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të tokës pas miratimeve nga strukturat përkatëse sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.
C. Të dhënat për situatën topografike të zonave minerare e të punimeve mbështetëse të veprimtarisë minerare, sipas projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare të miratuar dhe të përditësuar:
Për lejet minerare të kërkim-zbulimit:
a) Vendndodhja administrative;
b) Gjeografia e zonës, relievi, klima, bimësia;
c) Ndërtesat dhe objekte të infrastrukturës në zonën e lejuar;
d) Hidrografia, hidrogjeologjia;
e) Demografia;
f) Ekonomia e zonës dhe aktivitetet kryesore;
g) Përshkrim i punimeve të kërkim-zbulimit; h) Skema e furnizimit me ujë;
i) Skema e furnizimit me energji elektrike;
j) Skema e transportit të përgjithshëm;
k) Pasqyra përmbledhëse e pajisjeve dhe mekanizmave të përdorur në nëntokë dhe sipërfaqe;
l) Tabela përmbledhëse e investimeve;
m) Harta topografike me zonën e kërkuar me dokumentimin e infrastrukturës së aktualizuar (e azhurnuar);
n) Harta gjeologo-topografike me punimet e kryera për kërkim-zbulimin e xeherorit (kanale, puse, galeri shpime);
o) Planimetria e përgjithshme e minierës me punimet e kërkim-zbulimit, rrugët, sistemimet, vendosjen e objekteve sipërfaqësore dhe sheshet e depozitimit të sterileve, e projektuar.
Për lejet minerare të shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit:
a) Vendndodhja administrative;
b) Gjeografia e zonës, relievi, klima, bimësia;
c) Ndërtesat dhe objekte të infrastrukturës në zonën e lejuar;
d) Hidrografia, hidrogjeologjia;
e) Demografia;
f) Ekonomia e zonës dhe aktivitetet kryesore;
g) Përshkrim i sistemit të shfrytëzimit;
h) Përshkrim i proceseve të seleksionimit, thyerjes, fraksionizmit, pasurimit apo metodave të tjera që do të përdoren për përpunimin e mineralit dhe realizimin e produkteve të parashikuara, me skemat përkatëse teknologjike dhe treguesit;
i) Punimet e hapjes së objektit minerar kapitale dhe ndihmëse, parametrat e tyre;
j) Punimet e shfrytëzimit të objektit minerar, parametrat e tyre;
k) Pasaportat e shpim-plasjes;
1) Skema e ajrimit;
m) Skema e furnizimit me ajër të ngjeshur;
n) Skema e furnizimit me ujë;
o) Skema e furnizimit me energji elektrike;
p) Skema e transportit të përgjithshëm;
q) Pasqyra përmbledhëse e pajisjeve dhe mekanizmave të përdorur në nëntokë dhe sipërfaqe;
r) Tabela përmbledhëse e investimeve;
s) Harta topografike me zonën e kërkuar me dokumentimin e infrastrukturës së aktualizuar (e azhurnuar);
t) Harta gjeologo-topografike me punimet e kryera për shfrytëzimin e xeherorit (puse, galeri etj.);
u) Planimetria e përgjithshme e minierës me punimet e hapjes. Harta topografike e sipërfaqes së minierës me rrugët, sistemimet, vendosjen e objekteve sipërfaqësore dhe sheshet e depozitimit të sterileve apo nënprodukteve, e projektuar;
v) Harta topografike e vendburimit me konturet e zonave të rrezikshme nga influenca e shfrytëzimit;
w) Planimetria e përgjithshme e objekteve të përpunimit të mineralit.
D. Të dhënat për rezervat dhe për prodhimin minerar sipas projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare, të miratuar dhe të përditësuar:
Për lejet minerare të kërkim-zbulimit:
a) Rezervat sipas vendburimeve dhe objekteve, sasia dhe cilësia e tyre;
b) Metoda e llogaritjes së rezervave dhe tabela e llogaritjes së rezervave të mineralit; rezervat gjeologjike dhe të nxjerrshme të mineralit në sasi e cilësi;
c) Të dhëna mbi mineralizimin dhe karakteristikat e trupave xeherorë;
d) Përmbajtja e elementeve të dobishme.
Për lejet minerare të shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit:
a) Rezervat sipas vendburimeve dhe objekteve, sasia dhe cilësia e tyre;
b) Metoda e llogaritjes së rezervave dhe tabela e llogaritjes së rezervave të mineralit; rezervat gjeologjike dhe të nxjerrshme të mineralit në sasi e cilësi;
c) Të dhëna mbi mineralizimin dhe karakteristikat e trupave xeherorë;
d) Përmbajtja e elementeve të dobishme;
e) Rezervat e shfrytëzuara, të gatshme dhe të zbuluara.
E. Të dhënat për zotëruesin e lejeve minerare:
a) Emri i subjektit minerar që është zotërues i lejes minerare sipas regjistrimit në QKR:
(një kopje e ekstraktit të QKR-së për shoqërinë në momentin e dhënies së lejes, e cila duhet të përditësohet duke reflektuar ndryshimet në këtë ekstrakt gjatë afatit të lejes minerare dhe në përfundim të këtij afati).
b) Emri/emrat e pronarëve të kompanisë minerare, zotëruese e lejes minerare, sipas përqindjeve të tyre në kompani sipas regjistrimit në QKR:
(përqindjet e aksionarëve në shoqëri në momentin e dhënies së lejes, e cila duhet të përditësohet duke reflektuar ndryshimet në këtë ekstrakt gjatë afatit të lejes minerare dhe në përfundim të këtij afati). Kur zotëruesi/zotëruesit kryesorë të aksioneve të kompanisë ndryshojnë, ndryshimet në regjistrin minerar duhet të reflektojnë aktin e transferimit të lejes.
c) Emri dhe mbiemri i administratorit të subjektit zotërues i lejes minerare sipas regjistrimit në QKR:
d) Adresa e selisë së subjektit sipas regjistrimit në QKR:
e) Nr. i telefonit /faksit:
f) Emri dhe mbiemri i drejtuesit teknik:
g) Të dhëna për licencën profesionale të drejtuesit teknik: data e lëshimit / ,
institucioni që ka lëshuar licencën
h) Emri i personit dhe nr. i telefonit për raste emergjencash dhe aksidentesh:
2. Të dhënat që përshihen në regjistrin minerar që kanë të bëjnë me:
i) situatën topografike të zonave minerare e të punimeve mbështetëse të veprimtarisë minerare;
ii) rezervat për prodhimin minerar dorëzohen nga zotëruesit e lejes në momentin e aplikimit për një leje minerare dhe depozitohen pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL).
3. Të dhënat për zotëruesin e lejeve minerare pas aktit të miratimit të ministrit, dërguar pranë institucionit të QKL-së, nga drejtoria përgjegjëse në METE për veprimtarinë minerare mbahen po nga ky institucion.
4. Të dhënat që përshihen në regjistrin minerar që kanë të bëjnë me regjimin juridik të sipërfaqeve të zonave minerare dhe të sipërfaqeve fqinje, pronësinë, vlerësohen në aktin e verifikimit dhe vendimin e Këshillit Teknik nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) për zonat e kërkim-zbulimit dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) për zonat e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit, dhe dërgohen në QKL.
5. Drejtoria përgjegjëse në METE për veprimtarinë minerare, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) kanë të drejtë të disponojnë online të dhënat që lidhen me objektin e punës së veprimtarisë së tyre.
6. Regjistri minerar për çdo leje minerare përfshin, gjithashtu, të dhëna për kundërvajtjet administrative të zotëruesit të lejes minerare, statusin e lejes minerare, pezullimi apo në procedurë revokimi.
7. Në regjistrin minerar përfshihen, gjithashtu, të gjitha zonat minerare që janë mbyllur ose janë në proces mbylljeje apo konservimi.
8. Institucioni i QKL-së mban regjistrin minerar, duke lidhur të gjitha të dhënat për një zonë minerare me të dhënat e zotëruesit të lejes minerare dhe realizon administrimin e këtyre të dhënave për strukturat përgjegjëse të veprimtarisë minerare në bazë të akteve ligjore të funksionimit të kësaj qendre.
9. Ndryshimet për zotëruesin e lejes minerare që realizohen nga transferimi i lejes, duhet të reflektohen në regjistrin minerar brenda një periudhe jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditësh kalendarike nga data e aktit të tr ansferimit.
10. Ndryshimet e administratorit dhe drejtuesit teknik të realizuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) nga ana e subjektit minerar dhe të reflektuara në ekstraktin e subjektit minerar në QKR, duhet të reflektohen automatikisht nga QKL-ja në regjistrin minerar.
11. Kadastra minerare përfshin inventarizimin sistematik të të dhënave për sendet e paluajtshme, mbështetëse të veprimtarisë minerare, tokë, ndërtesa dhe instalime të sipërfaqes apo nëntokës, në aspektin teknik, ekonomik dhe të dhëna të tjera për zonat e lejuara minerare si më poshtë:
A. Të dhëna për sipërfaqen e tokës së zonës së lejuar të një lejeje minerare:
a) Tokë bujqësore me nivelin e bonitetit;
b) Tokë e fondit pyjor dhe kullosor;
c) Tokë në pronësi të autoriteteve vendore;
d) Tokë shtetërore;
e) Tokë private;
f) Tokë në pronësi të subjektit zotërues të lejes minerare.
B. Të dhëna për pasurinë e paluajtshme të zotëruesit të lejes minerare:
a) Punime themelore, ndihmëse dhe të shfrytëzimit, për zhvillimin e veprimtarisë minerare në nëntokë ose me karrierë.
b) Objekte sipërfaqësore, si: rrugë automobilistike për hapjen dhe shfrytëzimin e objektit minerar, kolona pusesh, anekse, zyra, dushe e tualete, gardërobë, fjetore, mensë, magazinë materialesh, sallë kompresorësh, kabina elektrike, stacion pompimi, ofiçina, depo e lëndës plasëse dhe ambiente të tjera.
c) Tokë e zonës së lejuar të lejes minerare në pronësi të subjektit zotërues të lejes minerare.
d) Makineri e pajisje të nëntokës apo sipërfaqes që përdoren për zhvillimin e veprimtarisë minerare.
e) Impiante përpunimi të mineralit.
f) Impiante të riciklimit të mbetjeve dhe ujërave.
g) Pajisje për monitorimin e veprimtarisë minerare dhe rrezikut minerar.
h) Dambat apo strukturat e ndërtuara për depozitimin e mbetjeve.
i) Vlerën financiare të pasurive të paluajtshme të vlerësuara në momentin e regjistrimit.
C. Të dhëna për pasurinë e paluajtshme ekzistuese në zonën e lejuar të lejes minerare:
a) Punime themelore, ndihmëse, të shfrytëzimit, të realizuara në objektin minerar nga ish-ndërmarrjet minerare shtetërore ose zotërues të mëparshëm të lejes minerare për atë objekt minerar.
b) Objekte sipërfaqësore të ndërtuara në objektin minerar nga ish-ndërmarrjet minerare shtetërore ose zotërues të mëparshëm të lejes minerare për atë objekt minerar, si: rrugë automobilistike për hapjen dhe shfrytëzimin e objektit minerar, kolona pusesh, anekse, zyra, dushe e tualete, gardërobë, fjetore, mensë, magazinë materialesh, sallë kompresorësh, kabina elektrike, stacion pompimi, ofiçina, depo e lëndës plasëse dhe ambiente të tjera.
c) Tokë e zonës së lejuar të lejes minerare në pronësi të shtetit dhe/ose autoriteteve vendore dhe/ose private dhe/ose kompensuar.
d) Makineri e pajisje të nëntokës apo sipërfaqes që përdoren për zhvillimin e veprimtarisë minerare, që kanë qenë pronësi e ish-ndërmarrjeve minerare shtetërore.
e) Impiante përpunimi të mineralit, impiante të riciklimit të mbetjeve dhe ujërave, pajisje për monitorimin e veprimtarisë minerare dhe rrezikut minerar, damba apo struktura të ndërtuara për depozitimin e mbetjeve që kanë qenë pronësi e ish-ndërmarrjeve minerare shtetërore.
f) Vlerën financiare të pasurive të paluajtshme, të vlerësuara në momentin e regjistrimit.
D. Të dhëna për pasuritë e paluajtshme të tjera të realizuara nga zotëruesi i lejes minerare në kuadrin e veprimtarisë minerare, por jo të lidhur me këtë veprimtari që mund të jenë ose të mos jenë pronë e zotëruesit të lejes minerare:
a) Objekte social-kulturore, të edukimit, objekte për mbrojtjen e shëndetit të komunitetit të zonës minerare.
b) Objekte të infrastrukturës si rrugë etj., që i shërbejnë komunitetit të zonës minerare.
12. Të dhënat që kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme të krijuara nga zotëruesi i lejes minerare që përfshihen në kadastrën minerare regjistrohen në këtë kadastër pas kërkesës së zotëruesit të lejes minerare që vërteton pronësinë e tyre në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për pronësinë e paluajtshme.
13. Të dhënat që përfshihen në kadastrën minerare dhe kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme të krijuara nga ish-ndërmarrjet shtetërore minerare, regjistrohen në kadastrën minerare pas vlerësimeve të institucioneve minerare dhe paraqitjes së këtyre vlerësimeve në QKL, ku bëhet regjistrimi i tyre për çdo objekt minerar apo zonë minerare.
14. Të dhënat për pronësinë e tokës merren nga institucionet përkatëse të vërtetimit të kësaj pronësie dhe regjistrohen në kadastrën minerare nga QKL-ja, ku bëhet regjistrimi i tyre për çdo objekt minerar apo zonë minerare.
15. Institucioni i QKL-së mban kadastrën minerare, duke lidhur të gjitha të dhënat për një zonë minerare me të dhënat e pasurive të paluajtshme, pronësisë së tokës të kësaj zone minerare dhe realizon administrimin e këtyre të dhënave për strukturat përgjegjëse të veprimtarisë minerare në bazë të akteve ligjore të funksionimit të kësaj qendre.
16. Të dyja dokumentet e regjistrit minerar dhe të kadastrës minerare lidhen me njëri-tjetrin nëpërmjet zonës minerare që është elementi i parë identifikues i të dy regjistrave.
17. Regjistrat regjistrohen në formë elektronike në institucionin e QKL-së. Niveli i konfidencialitetit të të dhënave realizohet në respekt të kërkesave të legjislacionit minerar dhe legjislacionit shqiptar në fuqi.
18. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen institucionet e QKL-së, QKR-së, SHGJSH-së, AKBN-së dhe drejtoria përgjegjëse në METE që trajton problematikat e lejeve minerare.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
MINISTRI I EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
Nasip Naço