Nr.387, datë 20.5.2011
PËR MIRATIMIN E FORMËS DHE PËRMBAJTJES SË PROJEKTIT TË KONSERVIMIT TË MINIERËS
Në zbatim të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 55, pika 8 dhe nenit 56, pika 2 të ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”,
1. Të gjitha minierat e braktisura që sipas përcaktimeve të ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, vlerësohen si të tilla, kalojnë në regjim konservimi dhe monitorimi postminerar pas studimeve vlerësuese të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe miratimit me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. AKBN-ja i propozon ministrit zonat e lejeve minerare për konservim, në bazë të një projekti konservimi. Ky projekt konservimi hartohet për objektet minerare në rastet kur:
a) minierat e shfrytëzuara nga shteti kanë akoma rezerva gjeologjike dhe procesi i shfrytëzimit mund të vazhdojë nga subjekte të interesuara;
b) vazhdimi i shfrytëzimit bëhet i papërshtatshëm për motive ekonomike;
c) zotëruesi i lejes minerare braktis veprimtarinë minerare për arsye të tij, ndërkohë që aktiviteti i shfrytëzimit në këtë objekt minerar mund të ketë përfitime ekonomike;
d) për shkaqe natyrorë apo gjeologo-minerare bëhet i papërshtatshëm vazhdimi i shfrytëzimit dhe duhet të garantohet një mënyrë e re e shfrytëzimit të objektit minerar.
3. Projekti i konservimit për zonat e lejeve minerare të minierave të braktisura zbatohet nga subjekte të specializuara shtetërore ose private, të përzgjedhura sipas procedurave të prokurimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Kontrolli i zbatimit të projektit të konservimit kryhet nga AKBN-ja.
5. Procedurat e konservimit të një objekti minerar të braktisur, bëhen sipas projektit të konservimit të miratuar, në zbatim të kërkesave të nenit 55 të ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
6. Projekti i konservimit duhet të mbështetet në parimet e:
a) mbrojtjes dhe konservimit të punimeve të realizuara në objektin minerar dhe të rezervave minerare si burime të papërsëritshme.
b) marrjes së masave parandaluese dhe mbrojtëse për jetën dhe shëndetin e komuniteteve në zonë, ndotjes në tokë, në ujërat, të florës e faunës, mjedisit dhe ekosistemit në përgjithësi, si dhe të infrastrukturës.
c) Këshillimit me autoritetet e qeverisjes vendore.
d) Bashkërendimit ndërmjet mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik.
7. Projekti i konservimit të një miniere të braktisur, hartohet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe miratohet nga Ministri.
8. Forma dhe përmbajtja tip e projektit të konservimit të objektit minerar do të jetë sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij urdhri.
9. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet institucioni i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
MINISTRI I EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
Nasip Naço
ANEKSI 1
FORMA DHE PËRMBAJTJA TIP E “PLANIT TË KONSERVIMIT” PËR OBJEKTET MINERARE
I. PËRMBAJTJA E TEKSTIT
1. Konsiderata të përgjithshme
i) Arsyetimi i realizimit të konservimit
ii) Shkaqet që influencojnë në konservimin e minierës
2. Të dhëna mbi objektin minerar
A. Kur objekti minerar është braktisur nga zotëruesi i lejes minerare:
i) Zona minerare me numër identifikues nr , e përfshirë në planin vjetor minerar të miratuar për vitin dhe licencuar me lejen minerare nr , datë…./ /
ii) Emri i subjektit zotërues i lejes minerare sipas regjistrimit në QKR:
iii) Lloji i mineralit/mineraleve:
iv) Emri dhe mbiemri i administratorit të subjektit sipas regjistrimit në QKR:
v) Adresa e selisë së subjektit sipas regjistrimit në QKR:
vi) Nr. i telefonit/faksit:
vii) Emërtimi i njësisë vendore/njësive vendore ku përfshihet zona e kërkuar:
B. Kur objekti minerar është një minierë e braktisur dhe e shfrytëzuar nga ish-ndërmarrjet shtetërore:
i) Zona minerare me numër identifikues nr
ii) Emri i subjektit shtetëror që është pronar i aseteve të objektit minerar
iii) Lloji i mineralit/mineraleve:
iv) Nr. i telefonit/faksit të subjektit shtetëror:
v) Emërtimi i njësisë vendore/njësive vendore ku përfshihet zona e kërkuar:
3. Baza ligjore mbi të cilën hartohet projekti, si:
a) Vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kalimin në regjim konservimi minerar.
4. Të dhëna të përgjithshme të shkurtra për objektin minerar (sipas projektit të shfrytëzimit)
a) Vendndodhja administrative dhe topografike e objektit;
b) Gjeografia e zonës, relievi, bimësia, fauna, ekosistemi në përgjithësi etj.;
c) Ndërtimi gjeologjik i rajonit dhe vendburimit;
d) Lloji dhe trashësia e mbulesës së tokës në zonën minerare;
e) Tektonika e vendburimit;
f) Kushtet hidrografike dhe hidrogjeologjike të vendburimit. Llojet e ujërave dhe kimizimi i tyre;
g) Mbi morfologjinë dhe përbërjen e xeherorit dhe/ose xeherorëve të dobishëm. Të dhëna të shkurtra mbi llojin e minerali t, vetitë fiziko-kimike të tij.
A. Për rastin e shfrytëzimit nëntokësor të vendburimit
a) Përshkrimi i mënyrës së hapjes së minierës, punimet kryesore të hapjes, sasia dhe lloji i ujërave që rrjedhin nga punimet minerare, sasia dhe përbërja mineralogjike e sterileve, vendndodhja e shesheve të depozitimit, impianteve të përpunimit dhe riciklimit;
b) Sistemi i shfrytëzimit të përdorur dhe treguesit tekniko-ekonomikë të realizuar, sasia dhe cilësia e rezervave të shfrytëzuara ose që mund të shfrytëzohen, të ndara sipas horizonteve dhe profileve;
c) Përshkrimi i objekteve sipërfaqësore, si: rrugë, puse, zyra, dushe e tualete, gardëroba, fjetore, mensë, magazinë materialesh, sallë kompresorësh, kabina elektrike, stacion pompimi, ofiçina, depo e lëndës plasëse dhe ambiente të tjera.
B. Për rastin e shfrytëzimit me karrierë të vendburimit
a) Përshkrimi i varianteve të hapjes së rrugëve dhe gjysmëtrasheve, gjatësia dhe seksioni i tyre. Përcaktimi i kufijve faktikë të karrierës, dimensionet reale të saj, përcaktimi i koordinatave të vertekseve, sasia dhe lloji i ujërave që rrjedhin në karrierë dhe që dalin prej saj, vendndodhja e shesheve të depozitimit të mbetjeve, vendndodhja e impianteve të përpunimit dhe riciklimit;
b) Sistemi i shfrytëzimit që është përdorur dhe treguesit tekniko-ekonomikë të realizuar, sasia dhe cilësia e rezervave të shfrytëzuara ose që mund të shfrytëzohen të ndara sipas horizonteve dhe profileve;
c) Përshkrimi i objekteve sipërfaqësore, si: rrugë, puse, zyra, dushe e tualete, gardëroba, fjetore, mensë, magazinë materialesh, sallë kompresorësh, kabina elektrike, stacion pompimi, ofiçina, depo e lëndës plasëse dhe ambiente të tjera.
5. Inventari i investimeve të kryera në objektin minerar
a) Inventari fizik faktik i miratuar;
b) Inventari i punimeve themelore, përgatitore dhe të shfrytëzimit;
c) Inventari kontabël (i miratuar nga bilanci kontabël);
d) Lista e makinerive e pajisjeve teknologjike.
6. Parashikimi i mënyrës dhe operacioneve të konservimit të minierës:
Për rastin e objekteve minerare, ku është përdorur shfrytëzimi nëntokësor:
a) Mbylljen e grykave të punimeve të hapjes së minierës me porta;
b) Rrethimi i zonës administrative dhe industriale dhe zonave të rrezikshme;
c) Vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe ndaluese;
d) Përcaktimi i vendrojave dhe personelit përkatës;
e) Përcaktimi i planit dhe grafikut të kontrollit dhe shërbimit të pajisjeve e makinerive në nëntokë dhe sipërfaqe;
f) Përcaktimi i planit dhe grafikut të kontrollit dhe shërbimit të godinave industriale dhe ambienteve të shërbimit social-kulturore;
g) Përcaktimi i planit dhe i grafikut të provës së gatishmërisë teknike të makinerive e pajisjeve;
h) Përcaktimi i numrit të nevojshëm të punonjësve të ruajtjes dhe shërbimit për periudhën e konservimit.
Për rastin e objekteve minerare ku është përdorur shfrytëzimi me karrierë:
a) Mbyllja dhe/ose bllokimi i rrugëve, trasheve ose gjysmëtrasheve të hyrjes në karrierë;
b) Rrethimi i hapësirës dhe/ose hapësirave të krijuara nga shfrytëzimi me karrierë;
c) Vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe ndaluese;
d) Përcaktimi i vendrojave dhe personelit përkatës;
e) Përcaktimi i planit dhe i grafikut të kontrollit dhe shërbimit të pajisjeve e makinerive në sipërfaqe;
f) Përcaktimi i planit dhe i grafikut të kontrollit dhe shërbimit të godinave industriale dhe ambienteve të shërbimit social-kulturor;
g) Përcaktimi i planit dhe i grafikut të provës së gatishmërisë teknike të makinerive e pajisjeve;
h) Përcaktimi i numrit të nevojshëm të punonjësve të ruajtjes dhe shërbimit për periudhën e konservimit.
7. Preventivi i detajuar dhe i specifikuar për çdo operacion për konservimin e objektit minerar.
8. Përfundime dhe rekomandime.
II. PJESA GRAFIKE
Nr. Emërtimi Shkalla
A Për minierat nëntokësore
1 Harta topografike e zonës së objektit minerar me koordinatat 1:25000
2 Planimetria e përgjithshme me punimet e hapjes (të azhurnuara me gjendjen përfundimtare) 1:5000 ose 1:2000, ose 1:1000 ose 1:500
3 Planimetria e vendosjes së objekteve administrative, social-kulturore dhe industriale (e azhurnuar me gjendjen përfundimtare) 1:500 ose 1:200
4 Planimetria, gentplani dhe skema e vendosjes së makinerive e pajisjeve në nëntokë dhe sipërfaqe 1:500 ose 1:200
5 Pasaportat e mbylljes së punimeve kryesore në minierë 1:500 ose 1:200
6 Skema e rrethimit dhe vendosjes së sinjalistikës parandaluese 1:500 ose 1:200
B Për karrierat
1 Harta topografike e zonës së objektit minerar me koordinatat 1:25000
2 Planimetria e përgjithshme e karrierës në fund të shfrytëzimit, e azhurnuar me gjendjen përfundimtare 1:1000 ose 1:2000 ose 1:500
3 Harta gjeologo-topografike e objektit me rrugët e hapjes dhe sheshet e depozitimit të sterileve apo nënprodukteve, me gjendjen përfundimtare 1:5000 ose 1:2000, ose 1:1000, ose 1:500
4 Planimetria e vendosjes së objekteve administrative, social-kulturore dhe industriale dhe skema e vendosjes së makinerive dhe pajisjeve n ë sheshin e punës 1:100, 1:200 ose skematike me parametra
5 Pasaportat e mbylljes së rrugëve hyrëse në karrierë 1:500 ose 1:200
6 Skema e rrethimit të hapësirës së karrierës dhe vendosjes së sinjalistikës parandaluese 1:500 ose 1:200