Nr.440, datë 16.6.2011
PËR MIRATIMIN E FORMËS, TË KUSHTEVE TË RIKTHIMIT DHE TË MËNYRËS SË LLOGARITJES TË GARANCIVE FINANCIARE PËR REHABILITIMIN E MJEDISIT, PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT MINIMAL TË PUNËS DHE PËR REALIZIMIN E INVESTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 31 pika 6, e 56, pika 1 të ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
1. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) vlerëson planin e rehabilitimit përfundimtar të mjedisit për lejet e kërkim-zbulimit dhe llogarit në vlerë monetare garancinë financiare të detyrueshme, të përgjithshme dhe vjetore, për realizimin e planit të rehabilitimit të mjedisit, në bazë të vlerës së përgjithshme të garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit, të viteve të kohëzgjatjes së lejes minerare, të sasisë së punimeve gjeologjike të programuara për t’u kryer çdo vit dhe i dërgon për miratim te ministri. Kjo vlerë përcaktohet në vendimin e këshillit teknik të SHGJSH-së për miratimin e planit të veprimtarive minerare.
2. Vlera e përgjithshme e garancisë financiare për rehabilitimin përfundimtar të mjedisit për lejet e kërkim-zbulimit llogaritet, si vlera monetare për financimin e aktiviteteve për realizimin e veprimtarive të mbylljes së punimeve gjeologjike të kërkim-zbulimit të rehabilitimit progresiv e të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit të zonës së lejuar minerare dhe të asaj të përdorur nga subjekti për zhvillimin e veprimtarisë minerare.
3. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) vlerëson planin e rehabilitimit përfundimtar të mjedisit për lejet e shfrytëzimit dhe lejet e kërkim-zbulim-shfrytëzimit dhe llogarit në vlerë monetare garancinë financiare të detyrueshme, të përgjithshme dhe vjetore, për realizimin e planit të rehabilitimit të mjedisit në bazë të vlerës së përgjithshme të garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit, të viteve të kohëzgjatjes së lejes minerare, të sasisë së mineralit të programuar për t’u shfrytëzuar çdo vit dhe i dërgon për miratim te ministri. Kjo vlerë përcaktohet në vendimin e këshillit teknik të AKBN-së për miratimin e planit të veprimtarive minerare.
4. Vlera e përgjithshme e garancisë financiare për rehabilitimin përfundimtar të mjedisit për lejet e shfrytëzimit dhe lejet e kërkim-zbulim-shfrytëzimit llogaritet, si vlera monetare për financimin e aktiviteteve për realizimin e veprimtarive të mbylljes së minierës dhe/ose karrierës, mbylljes dhe rehabilitimit të sheshit të depozitimit të mbetjeve, rehabilitimit progresiv e rehabilitimit përfundimtar të mjedisit të zonës së lejuar minerare dhe të asaj të përdorur nga subjekti për zhvillimin e veprimtarisë minerare.
5. Vlera monetare e garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit për lejet minerare për vitin e parë do të jetë e barabartë me vlerën e përgjithshme të garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit të ndarë me vitet e kohëzgjatjes së lejes minerare të miratuar. Zotëruesi i lejes minerare paraqet në sportelet e QKL-së dokumentin e garancisë financiare për realizimin e rehabilitimit të mjedisit për vitin e parë, brenda afateve të përcaktuara në ligjin nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
6. Për vitin e dytë dhe në vazhdim, për lejet minerare të kërkim-zbulimit, kjo garanci do të rivlerësohet nga SHGJSH-ja në përputhje me sasinë e punimeve gjeologjike të parashikuara për t’u kryer në planin vjetor, nëse kjo sasi është më e madhe se sasia e programuar në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare. Kjo garanci financiare vjetore depozitohet së bashku me planin vjetor të veprimtarisë minerare dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas përfundimit të vitit të llogaritur me datën efektive të marrjes së lejes minerare.
7. Për vitin e dytë dhe në vazhdim, për lejet minerare të shfrytëzimit dhe lejet e kërkim-zbulim-shfrytëzimit kjo garanci do të rivlerësohet nga AKBN-ja, në përputhje me sasinë e mineralit të parashikuar për t’u shfrytëzuar në planin vjetor, nëse kjo sasi është më e madhe se sasia e programuar në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare. Kjo garanci financiare vjetore depozitohet së bashku me planin vjetor të veprimtarisë minerare dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas përfundimit të vitit të llogaritur me datën efektive të marrjes së lejes minerare.
8. Forma e garancisë financiare të rehabilitimit të mjedisit përcaktohet në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Në rast mosparaqitjeje të dokumentit të garancisë financiare të rehabilitimit të mjedisit brenda afatit të parashikuar në pikën 5 të këtij vendimi, vendimi për miratimin e lejes minerare vlerësohet automatikisht i revokuar.
10. Në rast mosparaqitjeje të dokumentit të garancisë financiare vjetore të rehabilitimit të mjedisit brenda afatit të parashikuar në pikat 6 e 7 të këtij vendimi, fillon procedura e revokimit të lejes minerare.
11. Zotëruesit e lejeve minerare të kërkim-zbulimit, jo më vonë se data 28 gusht e vitit 2011, duhet të paraqesin pranë institucionit të SHGJSH-së, për shqyrtim e miratim, vlerën e përgjithshme të garancisë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit. SHGJSH-ja përcakton, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike, vlerën e papaguar të kësaj garancie në bazë të datës së dhënies së lejes minerare dhe të kohëzgjatjes së lejes minerare.
12. Zotëruesit e lejeve minerare të shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit, jo më vonë se data 28 gusht e vitit 2011, paraqesin pranë institucionit të AKBN-së, për shqyrtim e miratim, vlerën e përgjithshme të garancisë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit. AKBN-ja përcakton, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike, vlerën e papaguar të kësaj garancie në bazë të datës së dhënies së lejes minerare dhe të kohëzgjatjes së lejes minerare.
13. Vlera e papaguar për garancinë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit shpërndahet në mënyrë të barabartë për çdo vit, për t’u paguar në periudhën e mbetur të lejes minerare. Zotëruesi i lejes minerare e paguan këtë vlerë çdo vit, mbi vlerën e garancisë financiare vjetore për realizimin e planit të rehabilitimit të mjedisit.
14. Vlera e garancisë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit së lejeve minerare i rikthehet zotëruesit të lejes minerare pas përfundimit të planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit. Kontrolli në terren i zbatimit të planit të rehabilitimit kryhet nga AKBN-ja, për lejet e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit, dhe nga SHGJSH-ja për lejet e kërkim-zbulimit.
Rehabilitimi vlerësohet i përfunduar vetëm pas miratimit nga ministri të raportit të hartuar, për këtë qëllim, nga AKBN-ja ose SHGJSH-ja. Miratimi i njoftohet me shkrim zotëruesit të lejes minerare, duke i rikthyer garancinë për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit.
15. Për lejet e kërkim-zbulimit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar vlerëson programin minimal të punës, i cili është pjesë e projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare, dhe llogarit në vlerë monetare garancinë financiare të detyrueshme të përgjithshme dhe vjetore për realizimin e programit minimal të punës në bazë të vlerësimit të punimeve gjeologjike të kërkim-zbulimit, që duhet të realizojë minimalisht çdo zotërues i lejes minerare të kërkim-zbulimit për vlerësimin e zonës së lejuar minerare dhe e dërgon për miratim te ministri. Kjo vlerë përcaktohet në vendimin e këshillit teknik të SHGJSH-së për miratimin e planit të veprimtarive minerare.
16. Vlera monetare për vitin e parë do të jetë e barabartë me vlerën e punimeve gjeologjike të miratuara, që minimalisht çdo zotërues i lejes minerare të kërkim-zbulimit realizon në këtë vit dhe, për vlerësimin e zonës së lejuar minerare, paraqitet nga zotëruesi i lejes në sportelet e QKL-së dokumenti i garancisë financiare për realizimin e programit minimal të punës brenda afateve të përcaktuara në ligjin nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
17. Për vitin e dytë kjo garanci do të jetë e barabartë me vlerën e punimeve gjeologjike të miratuara, që minimalisht çdo zotërues i lejes minerare të kërkim-zbulimit do të realizojë në këtë vit për vlerësimin e zonës së lejuar. Kjo garanci financiare vjetore depozitohet së bashku me planin vjetor të veprimtarisë minerare dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas përfundimit të vitit të llogaritur me datën efektive të marrjes së lejes minerare.
18. Forma e kësaj garancie financiare përcaktohet në aneksin 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
19. Në rast mosparaqitjeje të dokumentit të garancisë financiare për realizimin e programit minimal të punës brenda afatit të parashikuar në pikën 16 të këtij vendimi, vendimi për miratimin e lejes minerare të kërkim-zbulimit vlerësohet automatikisht i revokuar.
20. Në rast mosparaqitjeje të dokumentit të garancisë financiare të vitit të dytë për realizimin e programit minimal të punës brenda afatit të parashikuar në pikën 17 të këtij vendimi, fillon procedura e revokimit të lejes minerare.
21. Vlera e garancisë financiare për zbatimin e programit minimal të punës së lejeve kërkim-zbulimit reduktohet çdo 6 (gjashtë) muaj gjatë periudhës së realizimit të programit minimal të punës, me një vlerë të barabartë me shumën e shpenzuar nga zotëruesi i lejes minerare gjatë realizimit të programit të tij të punës gjatë këtij gjashtëmujori. SHGJSH-ja vlerëson dokumentacionin dhe në terren realizimin e shpenzimeve në përputhje me veprimtaritë e programuara në programin minimal të punës të miratuar. Kthimi i garancisë për periudhën 6-mujore bëhet efektiv, në përputhje me deklarimin me shkrim, çdo gjashtë muaj, të kryer nga SHGJSH-ja për zotëruesin e lejes minerare.
22. Për lejet e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit, Agjenci a Kombëtare e Burimeve Natyrore vlerëson programin e investimit që është pjesë e projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare, dhe llogarit në vlerë monetare garancinë financiare të detyrueshme të përgjithshme dhe vjetore për realizimin e investimit në bazë të vlerës së përgjithshme të investimit, të viteve të investimit dhe/ose të vlerës së investimit të programuar për çdo vit dhe e dërgon për miratim te ministri. Kjo vlerë përcaktohet në vendimin e këshillit teknik për miratimin e planit të veprimtarisë minerare.
23. Vlera e përgjithshme e garancisë financiare për realizimin e investimit për lejet e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit përcaktohet nga projekti i zhvillimit të veprimtarisë minerare dhe përfshin mbulimin financiar për realizimin e investimeve të parashikuara për t’u realizuar nga kërkuesi i lejes minerare.
24. Vlera monetare për vitin e parë është 10% e vlerës së investimit, të parashikuar për këtë vit në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare, dhe zotëruesi i lejes duhet të paraqesë në sportelet e QKL-së dokumentin e garancisë financiare për realizimin e investimit brenda afateve të përcaktuara në ligjin nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
25. Për vitin e dytë dhe në vazhdim, kjo garanci është 10% e vlerës së investimit të parashikuar në programin vjetor të zhvillimit të veprimtarisë minerare, i cili hartohet në përputhje dhe i harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, sipas projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare. Kjo garanci financiare vjetore depozitohet së bashku me planin vjetor të veprimtarisë minerare dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas përfundimit të vitit të llogaritur me datën efektive të marrjes së lejes minerare.
26. Forma e kësaj garancie financiare përcaktohet në aneksin 3, bashkëlidhur këtij vendimi.
26. Në rast mosparaqitjeje të dokumentit të garancisë financiare për realizimin e investimit brenda afatit të parashikuar në pikën 24 të këtij vendimi, vendimi për miratimin e lejes minerare vlerësohet automatikisht i revokuar.
27. Në rast mosparaqitjeje të dokumentit të garancisë financiare vjetore të investimit brenda afatit të parashikuar në pikën 25 të këtij vendimi, fillon procedura e revokimit të lejes minerare.
28. Vlera e garancisë financiare për realizimin e investimit për lejet e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit rikthehet në fund të vitit të punës, llogaritur në bazë të datës efektive të dhënies së lejes. Vlera që rikthehet është e barabartë me vlerën e investimit të realizuar mbi vlerën 90 për qind të investimit të shpenzuar nga zotëruesi i lejes minerare gjatë realizimit të programit të tij të investimit gjatë atij viti. AKBN-ja vlerëson dokumentacionin dhe në terren realizimin e shpenzimeve në përputhje me veprimtaritë e programuara në programin e investimeve të miratuar. Kthimi i garancisë për periudhën vjetore bëhet efektiv në përputhje me deklarimin me shkrim, çdo 1 (një) vit, të kryer nga AKBN-ja për zotëruesin e lejes minerare.
29. Pas përfundimit të rehabilitimit, zonës së lejuar minerare i rikthehet statusi i saj i mëparshëm.
31. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
ANEKSI 1
FORMULARI I GARANCISË BANKARE PËR REALIZIMIN E PLANIT TË REHABILITIMIT TË MJEDISIT
(Për çdo leje minerare)
Nr.ref.____ Data
Me këtë dokument vërtetojmë se (emri i zotëruesit të lejes minerare) ka derdhur pranë (emri i bankës, adresa) shumën prej (shuma në shifra dhe fjalë) si garanci bankare për realizimin e planit të
rehabilitimit të mjedisit për vitin (viti që mbulon garancia) për lejen minerare nr ,
datë / / (tipi i lejes) për mineralin e (emri i mineralit/mineraleve) për objektin minerar
(vendin ku ndodhet zona e lejuar minerare).
Banka merr përsipër të kalojë në llogarinë e (emrin e ministrisë që mbulon aktivitetin minerar) këtë garanci bankare në rast se:
1. Zotëruesi i lejes minerare braktis veprimtarinë minerare pa realizuar detyrimet e tij për rehabilitimin përfundimtar të mjedisit të zonës së lejuar minerare të përcaktuar në lejen minerare, kushtet specifike të saj dhe planin e rehabilitimit të zonës minerare.
2. Zotëruesi i lejes minerare braktis veprimtarinë minerare pa realizuar detyrimet e tij për rehabilitimin përfundimtar të mjedisit të zonës së përdorur për veprimtari minerare jashtë zonës së lejuar minerare.
3. Zotëruesi i lejes minerare dështon për kryerjen, plotësisht ose pjesërisht, në rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve.
4. Zotëruesi i lejes minerare dështon për kryerjen, plotësisht ose pjesërisht, në realizimin e planit të aktiviteteve për mbylljen e veprimtarisë minerare.
5. Zotëruesi i lejes minerare dëmton me qëllim dhe/ose mënyrë aksidentale mjedisin gjatë realizimit të veprimtarisë së tij minerare.
6. Zotëruesi i lejes minerare dëmton me qëllim dhe/ose mënyrë aksidentale sheshin e depozitimit të mbetjeve minerare gjatë realizimit të veprimtarisë së tij minerare.
Me paraqitjen e kërkesës së parë me shkrim nga ana e (emrin e ministrisë që mbulon aktivitetin minerar), pa kërkuar shpjegime, me kusht që në kërkesë të përmendet mosplotësimi i një prej kushteve të mësipërme.
Kjo garanci është e vlefshme deri në datën (afati i garancisë sipas jetëgjatësisë së lejes minerare).
Nënshkrimi dhe vula e bankës
ANEKSI 2
FORMULARI I GARANCISË BANKARE PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT MINIMAL TË PUNËS
(Për lejet minerare të kërkim-zbulimit)
Me këtë dokument vërtetojmë se (emri i zotëruesit të lejes minerare) ka derdhur pranë (emri i bankës, adresa) shumën prej (shuma në shifra dhe fjalë) si garanci bankare për realizimin e programit minimal të punës për vitin (viti që mbulon garancia) për lejen minerare të kërkim-zbulimit nr……, datë …/…./… për mineralin e (emri i mineralit/mineraleve) për objektin minerar (vendin ku ndodhet zona e lejuar minerare).
Banka merr përsipër të kalojë në llogarinë e (emrin e ministrisë që mbulon aktivitetin minerar) këtë garanci bankare, në rast se:
1. Zotëruesi i lejes minerare dështon për kryerjen, plotësisht ose pjesërisht, në realizimin e programit minimal të punës për lejen e tij minerare të kërkim-zbulimit.
Me paraqitjen e kërkesës së parë me shkrim nga ana (emrin e ministrisë që mbulon aktivitetin minerar), pa kërkuar shpjegime, me kusht që në kërkesë të përmendet mosplotësimi i kushtit të mësipërm.
Kjo garanci është e vlefshme deri në datën (afati i garancisë sipas afatit të realizimit të programit minimal të punës.
Nënshkrimi dhe vula e bankës
ANEKSI 3
FORMULARI I GARANCISË BANKARE PËR REALIZIMIN E INVESTIMIT
(Për lejet minerare të shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit)
Me këtë dokument vërtetojmë se (emri i zotëruesit të lejes minerare) ka derdhur pranë (emri i bankës, adresa) shumën prej (shuma në shifra dhe fjalë) si garanci bankare për realizimin e programit të investimit për vitin (viti që mbulon garancia) për lejen minerare të shfrytëzimit dhe/ose kërkim-zbulim-shfrytëzimit nr….., datë …./…./…. për mineralin e (emri i mineralit/mineraleve) për objektin minerar (vendin ku ndodhet zona e lejuar minerare).
Banka merr përsipër të kalojë në llogarinë e (emrin e ministrisë që mbulon aktivitetin minerar) këtë garanci bankare, në rast se:
1. Zotëruesi i lejes minerare dështon për kryerjen, plotësisht ose pjesërisht në realizimin e programit të investimit për lejen e tij minerare të shfrytëzimit dhe/ose të kërkim-zbulim-shfrytëzimit.
Me paraqitjen e kërkesës së parë me shkrim nga ana e (emrin e ministrisë që mbulon aktivitetin minerar), pa kërkuar shpjegime, me kusht që në kërkesë të përmendet mosplotësimi i kushtit të mësipërm.
Kjo garanci është e vlefshme për periudhën njëvjeçare deri në datën (30 ditë kalendarike pas datës efektive të lejes minerare).
Nënshkrimi dhe vula e bankës