Prej disa kohësh në zonën e vendburimit të naftës të Patos-Marinëz janë regjistruar lëkundje të shpeshta të tokës, të cilat kanë shkaktuar jo vetëm shqetësime për banorët por edhe dëme materiale në banesat e komunitetit që jeton në këtë zonë.
Në këtë vendburim nafte zhvillon aktivitetet hidrokarbure në zbatim të Marrëveshjes Hidrokarbure që prej vitit 2004, kompania Bankers Petroleum Albania Ltd.
Të shqetësuar nga dëmet e shkaktuara sistematikisht mbas çdo lëkundjeje banorët kane kërkuar nga autoritetet lokale dhe qëndrore identifikimin dhe përcaktimin e shkaqeve dhe origjinës së lëkundjeve.
Reagimet e banorëve kane ardhur duke u rritur dhe në disa raste ata kanë bllokuar aktivitetin e kompanisë, duke pretenduar që operacionet hidrokarbure që Bankers Petroleum Albania Ltd zhvillon në vendburimin e naftës të Patos-Marinëz janë shkaku i lëkundjeve.
Për të vlerësuar shqetësimin e banorëve të Komunës Zharrëz, zbulimin e saktë të shkakut të këtyre lëkundjeve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë (MEI) me Urdhërin Nr. 68 Prot, datë 18.10.2013 të Ministrit Z. Damian Gjiknuri është ngritur një grup pune i përbërë nga specialistë të MEI, AKBN, Albpetrol dhe të Institutit të Gjeoshkencave.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit si autoriteti shtetëror përgjegjës për të rregjistruar lëkundjet e tokës dhe përcaktuar origjinën e tyre nuk zotëron rrjetin mjaftueshëm të stacioneve matës në zonën naftëmbajtëse.
Nga grupi i punes ështe hartuar një program i plotë teknik dhe operacional, për të ngritur një rrjet lokal me paisje sizmometrike për regjistrimin e lëkundjeve të tokës në Komunën Zharrëz dhe më gjërë, i përbërë nga 5 stacione matëse, nga të cilët 3 stacione të përhershëm (të vendosur brënda në puse) dhe 2 stacione matëse portative (në sipërfaqe).
Rrjeti i cili do të funksionojë 24 orë në ditë do të administrohet dhe operohet nga Instituti i Gjeoshkencave. Brenda 3 mujorit të parë të vitit 2014, do të sigurohen të dhënat për të përcaktuar shkakun dhe origjinën e lëkundjeve të tokës në zonën e Komunës Zharrëz.