Nga data 12-14 Mars 2014 në Hagë të Hollandës u zhvillua mbledhja e Komitetit Këshillimor (EACM – Exploration Advisory Committee Meeting) të përbashkët midis AKBN dhe kompanive SHELL dhe Petromanas. Siç dihet kompania SHELL dhe Petromanas (respektivisht me interesa 75% dhe 25%), janë duke operuar për kërkimin e naftës në Bllokun 2-3 në tokë.
Në muajin nëntor 2013, pas kryerjes së shpimit dhe testimit të pusit Shpiragu-2, u njoftua zbulimi i naftës në këtë bllok.
Në mbledhje u diskutua për herë të parë nga AKBN, hyrja në një etapë të tillë të operacioneve hidrokarbure për kërkimin e naftës në Shqipëri, në miratimin e Programit të Vlerësimit të këtij zbulimi. Në fund të takimit u vendos që në vijim të zbulimit të bërë nga Petromanas dhe Shell gjatë vitit 2013 në këto blloqe, gjatë vitit 2014 operacionet hidrokarbure të fokusohen në përfundimin e shpimit të pusit të kërkimit Molishti-1 dhe rikthimi në strukturën e Shpiragut, për shpimin e pusit të vlerësimit Shpiragu-3.