Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), z. Erlind Sulo, u takua me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, për të diskutuar mënyrat e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Ky takim synon të krijojë një bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve, për aftësimin e studentëve për tregun e punës, si dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në sektorin e burimeve natyrore.
Drejtori i AKBN, z. Erlind Sulo, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim për sa i përket sektorit të burimeve natyror. Ai theksoi se AKBN do të vijojë të punojë për të konkretizuar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit dhe për të finalizuar marrëveshjet që nuk do të mbeten thjesht të shkruara, por të zbatuara.
Në takim u theksua rëndësia e organizimit dhe pjesëmarrjes në aktivitete të përbashkëta, si: panaire, konferenca, projekte, etj.
Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, theksoi se kjo vizitë vjen në një kohë të duhur, pasi UBT po kalon një proces ndryshimi dhe zhvillimi rrënjësor. Dy institucionet do të bashkëpunojnë për të krijuar tryeza të vazhdueshme të përbashkëta mes ekspertëve të AKBN dhe stafit akademik të UBT.
Në vijim, do të krijohet një kalendar për të konkretizuar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.