Fjala e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Z. Besjan Pesha, në Konferencën e tretë Ndërkombëtare të Investimeve të Huaja në Shqipëri
Shqipëria shquhet për pasuritë e veta nëntokësore, sidomos për pasuritë minerare. Ka një debat të madh midis meje dhe shumë specialistëve në këtë vend. Si drejtor i Agjencisë Kombëtarë të Burimeve Natyrore, por edhe si njeri optimist, unë mendoj që ne kemi arritur që të eksplorojmë vetëm gati 40% të rezervave tona minerare në vendin tonë. Kjo do të thotë që ka dhe një 60% që pret të zbulohet. Prandaj do t’ju ftoja të gjithëve që të merrni seriozisht për të çuar skautistët dhe për të vazhduar eksplorimin e pasurive nëntokësore në Shqipëri. Më poshtë, unë do t’ju bëj një rezyme dhe një pasqyrë e atyre rezervave të njohura që ne dimë që ndodhen në vendin tonë në sajë të punimeve studimore që janë bërë, qoftë nga institucionet shqiptare, qoftë nga të gjithë ata investitorë të huaj apo vendas të cilët janë duke operuar në vendin tonë.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka si objekt të sajin promovimin, miratimin dhe më pas mbikëqyrjen e të gjitha projekteve të shfrytëzimit në fushën e burimeve natyrore. Këtu futen projektet minerare, projektet hidrokarbure, por edhe projektet në sektorin e energjisë së rinovueshme duke filluar që nga shfrytëzimi i kapaciteteve tona të mëdha, për të cilat ju dëgjuat një prezantim më parë edhe nga ministria, por edhe në të gjithë ato kapacitete të tjera për të cilat jemi duke punuar për përmirësimin e kuadrit ligjor siç është era, dielli apo mundësi të tjera.
Për sa i përket minerareve në vendin tonë, deri më sot, janë lëshuar 752 licenca. Ky është numri i përditësuar deri në nëntor të vitit 2011. Nga këto licenca 673 janë liçenca shfrytëzimi dhe pjesa tjetër janë liçenca për leje kërkimi dhe zbulimi të mineraleve në zonat, ku ne ende nuk kemi informacion të plotë se cilat janë rezervat reale. 211 prej tyre janë leje për shfrytëzimin e kromit, 231 janë për shfrytëzimin e minerale gëlqerore dhe me radhë për hekur-nikelin, nikelin silikat dhe minerale të tjera. Gjithashtu disa koncesione të mëdha janë dhënë nga qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve. Një prej tyre është koncesioni që i është dhënë kompanisë “ACR” dhe që është miniera e Bulqizës, një nga minierat që njihet, si nga pasuritë më të mëdha të kromit në rajon por edhe njihet për cilësinë e kromit që nxirret prej saj, i cili është i një cilësie shumë të lartë. Gjithashtu së bashku, bashkangjitur këtij koncesioni, është edhe fabrika e pasurimit të Kromit në Klos si edhe disa objekte të tjera të cilat shërbejnë për të mbyllur ciklin edhe të nxjerrjes, por edhe të përpunimit të mineralit të kromit. Gjithashtu kemi edhe masivin e Munellës që njihet si masiv polimetalik i është koncensionuar kompanisë turke “BER-ALB”.
Është miniera e famshme e bitumit e cila është duke u përdorur në mënyrën më të mrekullueshme dhe unë do të doja ta falënderojë Z. Patrik Paskal nga kompania franceze “Selenica Bitum”. Gjithashtu, është një koncesion i dhënë se fundmi dhe që presim të shohim rezultate konkrete është ai i dhënë kompanisë “IMI”, që është një bashkëpunim i kompanive turke dhe kompanive kineze në zonën e Kalimashit dhe Vllahinës. Ne kemi disa të dhëna për sasitë e mineralit që prodhohen në Shqipëri. Unë do t’ju ftoja të gjithëve që për këto të dhena të vizitoni faqen zyrtare të AKBN-së, akbn.gov.al, ose të vini të na vizitoni pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ku do të gjeni gjithmonë derën hapur dhe dikë që mund t’ju shërbejë dhe t’ju japë të gjithë informacionin që mund t’ju nevojitet. Ne kemi një hartë shpërndarëse, e cila tregon mënyrën se si janë shpërndarë lejet në Shqipëri dhe në qoftë se do të doni më shumë informacion mund të shikoni se cilat janë kompanitë, çfarë pune janë duke bërë dhe cili është statusi aktual i sasisë së prodhimit apo edhe mund të bëjmë një përllogaritje të sasive të fitimit të tyre sipas tregjeve dhe sipas çmimeve tona. Gjithashtu kemi bërë edhe një prezantim të përqindjes të cilësisë dhe të përqindjeve përkatëse të minerareve tona dhe mund t’i ofrojmë të gjithë investitorëve të huaj edhe kalkulime më të plota, edhe një rrugëtim më të plotë të mënyrës së si del minerali dhe se si shkon deri në treg me kostot përkatëse siç e marrim informacionin nga investitorët aktualë që janë në Shqipëri.
Prodhimi i mineraleve, kryesisht në vendin tonë, ka pasuar rritje dhe ka një trend rritës. Sigurisht kjo nuk varet vetëm nga fuqia zhvilluese e atyre investitorëve, qoftë të huaj apo edhe vendas, por varet edhe nga çmimi i tregut. Për shembull për mineralin e kromit kemi pasur një rënie në prodhim për shkak të luhatjeve që ka pasur në bursa por lajmi i mirë është që ka filluar një rritje në kohët e fundit dhe tregu vendas po i përshtatet edhe çmimeve të reja. Ndërkohë që për të gjithë mineralet e tjera ka një rritje të dukshme, gjë që tregon se ky biznes është duke ecur shumë mirë në Shqipëri dhe është një biznes shumë fitimprurës.
Le t’i marrim mineralet kryesore me radhë. Kromi, unë besoj se për ata njerëz që janë të fushës por edhe për ata që nuk janë, është një ndër mineralet më të kërkuara sot, sidomos nga tregu aziatik dhe Shqipëria fatmirësisht ka rezervat më të mëdha dhe më cilësoret në rajon. Më konkretisht rezervat ndodhen në zonën e verilindjes, në zonën e Tropojës, në zonën e Kukësit. Gjithashtu kemi Bulqizën dhe masivin ultrabazik të Lurës dhe zonën juglindore në Shebenik, Pogradec. Në këto tre zona janë përqendruar kryesisht rezerva e Kromit. Po t’i marrim sipas kategorive, për ata që janë më ekspertë, kategoria B dhe E C N, sot ne vlerësojmë që ka akoma rezerva për tu shfrytëzuar, rreth 18.8 milionë tonë, kategoria C2 rreth 16.1 milionë tonë, dhe në total ne vlerësojmë që ka ende rreth 35 milionë tonë rezerva të njohura. Këto janë rezervat që ne njohim por jam i bindur që aty poshtë ka dhe dyfishin e këtyre rezervave që presin vlerësime më të mira dhe presin një teknologji më moderne vlerësimi në mënyrë të tillë që të kuptojmë se ndoshta sasia e rezervave është dyfish më e madhe.
Për sa i përket bakrit, Shqipëria njihet për rezervat e veta të këtij minerali. Gjatë kohës së komunizmit ka pasur një industri të zhvilluar të përpunimit të bakrit në vend, një industri e cila arrinte që jo vetëm të nxirrte dhe të përpunonte bakrin por edhe të prodhonte flori dhe e dimë të gjithë që floriri është i çmuar sot edhe më shumë se ç’ishte i çmuar dje. Më konkretisht depozitat e njohura sot të bakrit ndodhen në zonën e Korçës, të Mirditës, të Pukës, Shkodrës, të Kukësit dhe në zonën e Hasit. Ka kompani të cilat janë duke bërë investime shumë serioze por bakri është një nga subjektet e cila pret investitorë dhe është një nga subjektet ku ju mund të përqendroni dhe mund të shikoni mundësi të arta për të ardhmen e investimeve tuaja në Shqipëri. Rezervat të kategorisë B, C1 dhe C2 përllogariten të jenë rreth 32 milionë tonë, nga të cilat 27 milionë tonë ne mendojmë që mund të nxirren nga rreth 50 depozita apo miniera të ndryshme në vend. Ndërkohë që rezervat gjeologjike në depozitat e reja, në ato ku ne ende nuk kemi filluar që të shfrytëzojmë llogariten rreth 13.4 milionë tonë me një përqindje 1.853. Vetëm në zonën e Munellës janë rreth 8 milionë tonë të rezervave të njohura të bakrit.
Për hekur-nikelin dhe nikelin silikat Shqipëria ka rezerva të pafundme të këtyre mineraleve. Në momentin që flasim shumica e hekur-nikelit eksportohet dhe tregu kryesor është Maqedonia dhe Kosova ku disa investitorë kanë ngritur uzina për përpunimin e këtij materiale. Unë do t’ju ftoja të shikoni seriozisht dhe ta mendoni seriozisht mundësinë e investimit në Shqipëri në fushën e përpunimit të hekur-nikelit. Rezervat janë shumë të mëdha, janë të shpërndara në zonën e Kukësit, në zonën e Hasit në zonën e Lurës, në zonën e Skroksës dhe Bushtricës, në zonën e Bilishtit dhe Kapshticës, pra gjithë pjesa lindore e Shqipërisë, verilindore, juglindore, është një zonë shumë e pasur me hekur-nikel dhe nikel-silikat. Hekur-nikeli, rezervat e tij të njohura nga ne sot, llogariten rreth 230 milionë ton ndërkohë që nikel-silikat rezervat e njohura janë 81.4 milionë tonë. Ka zona perspektive të cilat presin që të zhvillohen edhe më, ju thashë zonat e Kukësit dhe të Hasit, të Trullsuroit, të Lurës, zonat e Kroksës dhe Zabushtricës dhe të Bilishtit e Kapshticës.
Përsëri ju them që për detaje dhe për informacione më të detajuara secili prej jush mund të vij pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, na çoni një email ose mund të merrni më shumë informacion pranë website-in tonë. Për rezervat e qymyrit në Shqipëri, dihet që Shqipëria ka pasur një industri përpunuese të qymyrit në të kaluarën e saj dhe fatkeqësisht mbas rënies së sistemit kjo industri erdhi duke u degraduar prandaj ne sot gjykojmë dhe besojmë që në rezervat që kemi, qoftë në veri qoftë në jug të vendit tonë, mund tu ofrojmë investitorëve të huaj një mundësi të artë për të bërë biznes me këtë fushë. Janë duke pritur këto rezerva për një interes akoma dhe më të madh, disa prej licensave janë duke u dhënë sot dhe janë në moment licencimi nga ana e Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, po ka rezerva të mëdha të cilat ende presin interesin tuaj. Gjithashtu Shqipëria është e pasur me bitum, por për mënyrën e shfrytëzimit ndoshta z. Paskal do të bëjë një prezantim akoma më të madh. Ka minerale jo metalike të cilat janë rreth 32 llojesh. Pranë AKBN-së mund t’u japim informacione më të detajuara për llojet e tyre, për informacionet që kemi, informacionet gjeologjike, projektet e mëparshme që ka pasur si dhe cilësinë e përqindjen që ato gjenden në natyrë. Shqipëria është e njohur për rezervat e veta gëlqerore, realisht sot ka një shfrytëzim masiv të rezervave gëlqerore të cilat ju e dini përdoren në industrinë e ndërtimit apo në industri të tjera.
Rezerva gjeologjike të tjera janë rreth 490 milionë metër kub, janë rezerva të cilat sot shfrytëzohen qoftë nga biznesi vendas, qoftë nga biznesi i huaj por ka rezerva pa fund të cilat, jo vetëm nuk janë shfrytëzuar por unë besoj që kanë një lehtësi, ka një mundësi shumë të mirë për tu shfrytëzuar edhe më tej nga ana juaj. Pak a shumë, edhe shkurt, ky ishte një prezantim i mineraleve. Më lejoni që t’u them që Shqipëria sot është në një fazë që është duke i përdorur mirë rezervat e veta minerare por sigurisht që biznesi vendas ka nevojë për partnerë akoma dhe më të fortë. Ka shumë biznesmenë të cilët zotërojnë leje minerare me rezerva shumë të mira por që nuk i kanë kapacitetet financiare të mjaftueshme për të shfrytëzuar akoma dhe më mirë apo të gjitha rezervat gjeologjike që ndodhen brenda konturit të lejeve të tyre minerare. Kjo ndoshta do të ishte një mundësi shumë e mirë për ju të dashur investitorë të huaj që të krijoni një partneritet me biznesin lokal ose sigurisht pranë faqes së Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës do të gjeni listën e të gjitha subjekteve minerare, e të gjitha zonave të cilat ministria i ka shpallur si zona të konkurrueshme ku secili prej jush mund të konkurrojë me një ofertë financiare dhe teknike dhe mund të bëhet zotërues i lejes minerare për një periudhë 25 vjeçare për atë zonë. Të flasim pak edhe për naftën. Unë besoj që Shqipëria, sidomos ndoshta vitet e fundit dhe sidomos këtë fundperiudhe, ka pasur shumë lajme të mira përsa i përket nxjerrjes dhe kërkimit të naftës. Rezervat e njohura në Shqipëri sot janë rreth 500 milionë barela por ne besojmë që Shqipëria ka një kapacitet mbi 6 miliardë barela, një kapacitet nxjerrës. Vetëm në zonën e Patos-Marinzës ku operon një nga historitë e suksesit në Shqipëri edhe pse kohët e fundit nuk po vemë mirë në bursë por unë besoj se kjo do të korrigjohet shumë shpejt, është kompania Bankers-Petriolum. Z. Çobo, që është dhe miku jonë, do të na bëjë një rezyme dhe një shpjegim më të mirë të punës që është duke u bërë aty. Por, zona e Patos-Marinzës njihet si zonat më të mëdha të naftës në kontinentin ku po rrimë sot.
Ndërkohë që në Shqipëri janë shumë kompani të tjera të cilat janë duke bërë eksplorimin e mundësive për të gjetur rezerva të reja nafte, qoftë në tokë, qoftë në det. Një nga historitë e pritshme të suksesit në vendin tonë është kompania “Petromanas”, e cila është duke kryer kërkimet ne tre zona të ndryshme, më konkretisht në zonën e Beratit, në zonën e Elbasanit dhe në zonën e Lezhë-Shkodrës. “Petromanas” ka arritur me sukses para pak kohësh që të mbylli një marrëveshje me kompaninë lider në tregun e naftës në botë siç është kompani “Royal Dutch Shell” dhe ne besojmë se me sondën e re që kanë prurë në Shqipëri, e cila mund të shpojë deri në 7000 metra dhe me shpimin që unë besoj fillon brenda pak ditësh në zonën e Shpiragut, rezervat e naftës në Shqipëri dhe të dhënat tona do të apdetohen akoma dhe më mirë dhe besojmë që pusi atje do të jetë një pus i suksesshëm, shpimi atje do të jetë një shpim i suksesshëm dhe besojmë se do të kemi dhe një zonë të re e cila do të zhvillohet dhe do të fillojë të prodhojë naftë në vendin tonë siç është zona e Shpiragut, ndërkohë që dy shpime të tjera priten që të ndodhin në muajin mars të vitit tjetër, më konkretisht në zonën e Elbasanit dhe në zonën e Shkodër-Lezhës. Ndërkohë disa kompani janë duke bërë kërkim në det, dhe më konkretisht kompania “Caren Energy”, e cila është e duke kërkuar në jug të detit Jon.
Ndërkohë që është një kompani tjetër, “San Leon”, e cila është një kompani anglo-irlandeze. Ata janë duke kërkuar pranë Detit Adriatik dhe shumë shpejt, unë besoj këto ditë, qeveria shqiptare është duke lidhur një kontratë të re me një kompani izraelite për të vazhduar kërkimin edhe për gaz në blloqet dy tre dhe katër. Ndërkohë lajmi i mirë për të gjithë ju që mund të keni mundësi financiare është që është hapur “Data Room”-i, dhoma e të dhënave për shitjen e kompanisë shtetërore “Albpetrol” që është kompania shtetërore e cila merret me nxjerrjen e naftës. Unë ju ftoj të gjithëve, kushton shumë pak, pranë METE-s të shkoni dhe të blini paketën e të dhënave sepse ndoshta mund të ketë interes që të futeni dhe të merrni pjesë në garë e cila zhvillohet në datën 27 korrik pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Ndërkohë të gjitha zonat e tjera të pa eksploruara në Shqipëri, qofshin në tokë, qofshin në det, sot fal një nisme të qeverisë shqiptare janë pjesë e paketës së privatizimit të kompanisë “Albpetrol” dhe kushdo që do të privatizojë “Albpetrolin” do të ketë dhe të drejtën e refuzimit të parë përsa i përket eksplorimit në këto zona të caktuara. Përsa i përket mënyrës se si punohet dhe cilat janë sfidat në këtë industri, Z. Çobo mund të bëjë një pasqyrë më të qartë ndërkohë që të gjithë ne jemi duke pritur dhe duke kryqëzuar gishtat për shpimin e radhës që kompania “Shell” së bashku me “Petromanas” do zhvillojë në zonën e Shpiragut, pra pikërisht në zonën e Beratit. Të gjitha të dhënat përsa i përket naftës dhe gazit përsëri mund ti gjeni pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose në akbn.gov.al që është website-i ynë. Ju ftoj të gjithëve ta merrni Shqipërinë seriozisht sepse Shqipëria ka mundësi serioze për të gjithë ju.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj suksese.