AKBN në bashkëpunim me UNECE organizoi sot trajnimin me temë: “Praktikat më të mira për ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme në Shqipëri në prodhimin e produkteve të Eficencës së Energjisë dhe sigurimin e pajisjeve të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë”.
Trajnimi u zhvillua në ambjentet e AKBN-së, ku përveç stafit të AKBN-së etj, mori pjesë edhe Z. Oleg Dzioubinski, Këshilltar Rajonal i UNECE-s, në Departamentin e Energjisë së Qëndrueshme, i cili foli mbi projektet dhe praktikat më të mira të përdorura në vende të ndryshme të botës si dhe mundësinë e implementimit të këtyre projekteve edhe në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj iniciative është të forcojë kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion, për të zbutur ndikimin ekonomik dhe social të krizës globale Covid-19 dhe synimi për këto sipërmarrje nga UNECE është fokusimi në vende të vogla siç është edhe Shqipëria, sepse MSME-të janë motor për rimëkëmbjen ekonomike pas krizës, duke krijuar mundësi punësimi, duke udhëhequr një zhvillim ekonomik të qendrueshëm, dhe duke ndihmuar kështu në arritjen e qëllimeve të politikave zhvilluese të vendeve që po kalojnë periudhën e vështirë të pandemisë
Nga Drejtori i Drejtorisë se Energjisë së Rinovueshme pranë AKBN-së u shpjegua situata aktuale mbi Eficencën e Energjisë dhe Burimet e Rinovueshme në Shqipëri, si edhe praktikat më të mira që po përdoren nëpër botë në këtë fushë.
Në fund të trajnimit u la si angazhim përgatitja e një udhëzuesi , iniciativë kjo e ndërmarrë nga UNECE, në kuadër të projektit të UNDA, “Iniciativa Globale drejt ringjalljes post-Covid-19 të sektorit të sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”.