Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) mori pjesë në edicionin e tretë të ekspo-konferencës mbi burimet natyrore të Shqipërisë “Shqipëria një destinacion për investime”, e cila u zhvillua në datat 19-20 Prill 2012, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Në një prononcim për mediat, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Z.Besjan Pesha vuri theksin tek puna që po bën kjo agjenci në fushën e minierave, hidrokarbureve, energjisë së rinovueshme, etj. Pesha nënvizoi se gjatë vitit që vjen në fushën e minierave janë parashikuar të investohen rreth 80 milion euro dhe priten të hapen rreth 2000 vende pune. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Z. Pesha, ndër të tjera deklaroi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sektorit të hidrokarbureve ku priten rezultate pozitive nga kërkimet për naftë në disa zona të vendit. “Deri më tani, – nënvizoi Z.Pesha – kompania lider në kërkimin dhe përpunimin e naftës SHELL, ka nisur kërkimet në tre zona që cilësohen jo-naftëmbajtëse, në Lezhë, Elbasan dhe në Berat, dhe në muajin maj presim rezultate pozitive. E përkthyer në shifra është një investim 50 milionë euro dhe mijëra vende pune”.
Ndërsa përsa i përket vëmendjes që po i kushtohen investimeve në fushën e hidroenergjitikës, Z.Pesha theksoi se është një ndër fushat që krijon në mënyrë të vazhdueshme vende të reja pune. Sipas tij, në fushën e hidroenergjitikës hapen mesatarisht 5 vende pune për çdo mega të instaluar gjatë ndërtimit dhe mbi 50 vende për çdo HEC të përfunduar.
Panairi dy-ditor u organizua në bashkëpunim me FIAA (Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri) dhe qëllimi i tij ishte njohja me zhvillimet më të reja tekniko-ekonomike, legjislative, arritjet më të mira në këto fusha dhe projektet kryesore për të ardhmen.
Shqipëria është një vend me pasuri të shumta natyrore të cilat nuk janë në nivelin optimal të shfrytëzimit të tyre. Orientimi i investimeve në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si energjia, mineralet, ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, si dhe infrastruktura mbështetëse kanë qenë dhe mbeten prioritet i politikave qeveritare.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) promovon, shqyrton dhe monitoron të gjitha projektet dhe investimet për shfrytëzimin e burimeve natyrore në Shqipëri.