Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së, Z.Petrit Malaj, me stafin shoqërues të sektorit minerar në AKBN, zhvilluan sot një takim me Shoqatën e Unionit të Inxhinierave dhe Gjeologëve të Shqipërisë.
Në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit me AKBN në drejtime të ndryshme, ku përqëndrimi ishte në digjitalizimin e proceseve të miratimit të programeve vjetore të ushtrimit të aktivitetit minerar.
Një drejtim tjetër që u diskutua ishte reflektimi në ligjin minerar dhe aktet e ndryshme nënligjore të kërkesave bashkëkohore, dhe konsolidimit të marrëdhënieve me të tretët dhe organet e ndryshme shtetërore.
Në diskutimin e tij Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së Z.Malaj vuri në dukje probleme që lidhen me materialet kritike, rivlerësimin e rezervave të mineraleve, promovimin e vazhdueshëm të tyre për tërheqjen e investimeve të rëndësishme, si dhe futjen në qarkullim të mineraleve të ndryshme. Ky takim kishte rëndësi konsultativ dhe zhvillimor në fushën minerare.