Në Ditën Botërore të Energjisë, në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) u organizua një takim i rëndësishëm që shërbeu për të prezantuar arritjet, risitë dhe sfidat e institucionit.
Si i vetmi institucion në Shqipëri që kontribuon në zhvillimin, mbikëqyrjen, promovimin dhe sigurimin e oponencës teknike për projektet në fushën e energjisë, AKBN u mblodh për të adresuar disa çështje rreth energjisë, si dhe për të informuar rreth risive që sjell Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave nr. 506 datë 01.08.2024, që përcakton ndryshime dhe funksione të reja të AKBN-së.
Një ndër qëllimet kryesore të këtij takimi ishte të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e energjisë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të inkurajojë përdorimin e burimeve të pastra dhe të rinovueshme. Shqipëria aktualisht mban vendin e dytë në Evropë për sigurimin e energjisë vetëm nga burimet e rinovueshme.
Kjo ditë botërore shërben si një kujtesë e rëndësisë së efikasitetit energjetik dhe përdorimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore për të mbrojtur mjedisin dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet Drejtori Ekzekutiv i AKBN, Z. Erlind Sulo, gjatë fjalës së tij u shpreh se AKBN është një instrument shumë i rëndësishëm i shtetit shqiptar.
“Me krenari të plotë mund të them që në dy muaj indikatorët tregojnë që AKBN po ecën në një trend shumë më të mirë” – tha z. Sulo.
Në përfundim të takimit, Drejtori Ekzekutiv i AKBN vlerësoi me certifikata mirënjohjeje disa punonjës, me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, në mbështetje të procesit të monitorimit, i cili ka sjellë arritje të objektivave për energjinë e rinovueshme.”
Drejtori Ekzekutiv shprehu gjithashtu një mesazh falënderimi për të gjithë grupin e vlerësimit të investimeve dhe sektorin e monitorimeve.
AKBN vazhdon të jetë në avangardë të zhvillimit të qëndrueshëm energjetik në Shqipëri, duke u përkushtuar në mbrojtjen dhe përdorimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore për një të ardhme më të ndritur për të gjithë.