Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Z. Erlind Sulo mori pjesë në simpoziumin shkencor ndërkombëtar me temë “Energjia e Rinovueshme, burimet e qëndrueshme dhe teknologjitë (RENETECH 2025)”, zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në këtë simpozium ku u paraqitën mbi 45 punime shkencore për energjinë e rinovueshme, ishin të ftuar akademikë, ekspertë të fushës së energjisë, përfaqësues të industrisë dhe politikëbërjes, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme shtetërore që operojnë në fushën e energjisë, deputetë e të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Z. Erlind Sulo, foli për Rëndësinë Strategjike të Energjisë së Rinovueshme në Shqipëri, zhvillimi i të cilit pritet të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike dhe sociale, duke krijuar vende të reja pune, nxitur zhvillimin industrial dhe reduktuar ndikimin mjedisor, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshme dhe mirëqenien e përgjithshme të vendit.
Gjithashtu z. Sulo vlerësoi rolin e Njësisë Kërkimore të Përkohshme për energjinë e rinovueshme si një strukturë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në identifikimin e mundësive për njohjen, evidentimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja në fushën e energjive të rinovueshme.
Në mbyllje të fjalës së tij përshëndetëse Z. Sulo siguroi mbështetjen institucionale të AKBN-së më ekspertët e saj më të mire në fushën e energjisë, për të mbështetur këtë nismë dhe për të forcuar bashkëpunimin me akademinë, industrinë dhe institucionet publike për zhvillimin e sektorit energjetik.
Qeveria shqiptare po vijon reformat në këtë sektor, me synimin për të krijuar kushte të favorshme për përdorimin dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, në përputhje me angazhimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian. Shqipëria është një nga vendet e pakta që siguron pothuajse 100% të prodhimit të saj të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, kryesisht nga hidrocentralet.
Shqipëria po intensifikon investimet në energjinë e rinovueshme, duke diversifikuar burimet dhe përmirësuar infrastrukturën për një sistem energjetik më të qëndrueshëm. Energjia fotovoltaike dhe eolike po zhvillohen me ritme të qëndrueshme. Janë aktive 75 kontrata për impiante fotovoltaike, duke kontribuar me 3.3% në prodhimin kombëtar të energjisë, ndërsa për energjinë e erës AKBN monitoron 10 projekte në ndërtim, me synimin për të arritur 300 MW fuqi të instaluar deri në vitin 2027.