Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), z. Erlind Sulo, zhvilloi një takim me dekanin e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), Prof. Dr. Shkëlqim Daja dhe administratorin e këtij universiteti, z. Besmir Ali, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Ky bashkëpunim synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin në sektorin e burimeve natyrore dhe energjisë, si dhe promovimin e programeve prioritare të studimit për studentët. Përmes këtij partneriteti synohet që të krijohen projekte të reja që pritet të sjellin përfitime për studentët dhe të rinjtë.
Në fokus të këtij takimi ishte gjetja e mënyrave të bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, për të nxitur të studentët dhe të rinjtë shqiptarë që të zgjedhin mes programeve prioritare, të cilat jo vetëm që kontribuojnë në zhvillimin e vendit, por edhe ofrojnë mundësi të mira pune me të ardhura të larta.
Bashkëpunimi mes AKBN dhe UPT do t’i hapë rrugën edhe aktiviteteve të përbashkëta, të cilat sërish kanë në fokus promovimin e sektorëve të ndryshëm të energjisë, hidrokarbureve, sektorit minerar, etj.