Fillon implementimin marrëveshja për prodhimin e naftës në vendburimet e Visokës.
Pas miratimit të planit të punës nga ana e Albpetrol dhe AKBN si edhe mbas fillimit të procedurave për marrjen zyrtarisht në dorëzim të puseve të vendburimit të Visokës nga ana e kompanisë Transoilgroup sipas marrëveshjes hidrokarbure të firmosur nga ana e qeverisë shqiptare, pritet që javën tjetër të fillojë menjëherë investimi, i cili për këtë vit parashikohet të jetë 20 milionë dollarë.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Besjan Pesha zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë Transoilgroup. Qëllimi i këtij takimi ishte fillimi i investimeve në fushën e Visokës. Kompania Transoilgroup ka marrë miratimin e Albpetrol dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për planin e veprimit në këtë zonë për investime në fushën e hidrokarbureve, për vlerësimin dhe prodhimin e naftës bruto në vendburimin e Visokës.
Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i AKBN-së Z.Besjan Pesha u shpreh se fillimi i investimeve nga kjo kompani është një lajm tjeter i mirë jo vetëm për METE-n e AKBN-në, por edhe për punëtorët e banorët e zonës duke shprehur besimin për zhvillimin e industrisë naftëmbajtëse në vend. “Fillimi i investimeve në fushën e Visokës është një lajm i mirë, jo vetëm për METE-n dhe AKBN, por mbi të gjitha për punëtorët dhe gjithë banorët e zonës në rradhë të parë, të cilët do të përfitojnë direkt, si dhe për perspektivën e industrisë naftëmbajtëse në vend e cila duket qartë se ka marrë një hov të veçantë”, tha Z.Pesha.
Nga ana tjetër ai shprehur besimin se “ky investim, ardhja e kompanisë Shell në vend si partnere e Petromanas, fillimi i shpimit të puseve në zona të reja on dhe offshore do të ridimensionojë industrinë e naftës në vend. Ndërkohë uroj që edhe eksperimenti që Dr. Hertel do të zhvillojë të jetë i suksesshëm 100% kështu që të jetë pikërisht Shqipëria përçuesja e një metodologjie edhe me inovatore në fushën e nxjerrjes së naftës”.
Transoilgroup është pasuese e IEC Visoka dhe kryen operacione në fushën e hidrokarbureve për vlerësimin dhe prodhimin e naftës bruto në Visokë. Plani i veprimit të kësaj kompanie është në vitin e parë të fazës së zhvillimit, ndërsa ka paraqitur pranë AKBN një plan afatgjatë. Aktualisht në terren po bëhet kalimi i puseve dhe aseteve të përfshira në të, nga kompania Alpetrol tek Transoilgroup. Në vitin e parë të punës parashikohet një investim deri në 20 milionë dollarë dhe vetëm për këtë vit parashikohet nxjerra e 954.493 fuçi naftë. Investimet do të fillojnë javën që vjen.
AKBN është Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore e cila promovon, shqyrton dhe monitoron të gjitha projektet dhe investimet në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë