Në kuadër të implementimit të Sistemit Elektronik për Administrimin dhe Monitorimin e Aktivitetit të Koncesioneve dhe Lejeve Minerare, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) organizoi sot një takim prezantues të modulit elektronik të administrimit dhe monitorimit të lejeve minerare, në ambientet e Hotel “Tirana International”, ku ishin ftuar të gjitha shoqëritë që zhvillojnë aktivite minerare në vend. Në këtë tryeze AKBN prezantoi sistemin e ri informatik që do të shërbejë për një administrim të ri të aktivitetit minerar, ku të gjitha marrëdhëniet midis shoqërive minerare dhe AKBN do të kontrollohen në mënyrë elektronike.
Ky software i ri do të shërbejë jo vetëm për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme rolin dhe përformancën e AKBN-së në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë siç është sektori minerar, por gjithashtu do të bëje tërësisht transparente marrëdhëniet midis subjekteve minerare dhe AKBN-së.
Gjithashtu, ky sistem do t’u japë akses direkt nga faqja zyrtare e AKBN-së të gjitha palëve të interesuara, siç mund të jenë Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Banka e Shqipërisë, INSTAT, mediat, etj., në një bazë të dhënash e cila do të pasurohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në kohe reale.