“Promovimi dhe përhapja e përdorimit të teknologjive të biomasës” ka qenë tema e seminarit të mbajtur pranë Universitetin e Hiroshimës në Japoni, organizuar nga Qëndra e JICA në Hiroshima.
Në këtë seminar të zhvilluar nga data 9 Janar 2014, deri më datë 14 shkurt 2014, kanë marrë pjesë 19 pjesëmarrës nga vende të tilla si Argjentina, Bangladeshi, Fixhi, Gjorgjia, Kenia, Kosova, Moldavia, Serbia, Sirilanka, Sudani, Tajlanda dhe Ukraina ndër të cilët edhe një pjesëmarrës nga AKBN.
Në seminar u trajtuan tema si:
– Biomasa koncepti dhe përkufizimi sipas kuadrit ligjor Japonez
– Biomasa dhe përdorimi i saj si materie e rinovueshme për prodhim energjie dhe materialesh me karbon të neutralizueshëm
– Burimet
– Teknologjitë
– Sistemet
Për sa i takon teknologjisë u dhanë shembuj edhe të teknologjive të avancuar e që konsideroheshin edhe për ata në faza eksperimentale por që për nga efikasiteti besohet të gjejnë në një të ardhme të afërt rrugën e tregut.
Veçohet SCWG (Gazifikimi në Përmbajtje Super Kritike të Ujit) eksperiment i Universitetit të Hiroshimës i kryesuar edhe nga lektori i këtij seminari Prof. Y.Matsumura.
Me interes ishte edhe pjesëmarrja në Konferencën e Parë Aziatike mbi Teknologjitë e Biomasës dhe në atë të 9-të Japoneze për këtë qëllim të zhvilluar në qytetin Kochi nën patronazhin e Universitetit të Hiroshimës.
Vizitat në terren ishin edhe një nga aspektet me interesante të këtij seminari ku pjesëmarrësit patën rastin të shihnin zbatime të teknologjive të biomasës, si në ndërmarrje të mëdha të përpunimit të drurit apo ato ushqimore që i kishin përqafuar këto teknologji si mënyrë për të evituar mbetjet në procesin e prodhimit por edhe si mundësi për të prodhuar energji të mjaftueshme për procesin e prodhimit.
Gjithashtu edhe bizneset e vegjël e të mesëm apo shoqata lokale zbatonin teknologji të biomasës si biodieseli, prodhimi i pelletit dhe briketimi, gazifikimi si mundësi për evitimin e ndotjeve, për atraksione turistike dhe rivitalizimin e zonave të largëta rurale që vuanin largimin e gjeneratës së re.
Eksperiencën e fituar jemi të gatshëm ta ndajmë me bizneset e interesuara dhe pushtetin lokal apo shoqata lokale të pyjeve dhe mjedisit, duke përmbushur në këtë mënyrë edhe një nga synimet e këtij seminari, përhapjen e përdorimit të teknologjië së biomasës.
Për këtë qëllim do të kërkohet edhe mbështetja e zyrës së JICA në Tiranë, koordinim më i mirë me Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrinë e Mjedisit.