Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, z. Dael Dervishi priti sot në një takim anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet në Kosovë të kryesuar nga z Musa Shabani. Në kuadër të bashkëpunimit mes AKBN-së dhe KPPM-së, përfaqësuesit e dy institucioneve shprehën bindjen se Memorandumi i Mirëkuptimit që është miratuar në vitin 2014 ka rezultuar efikas, duke ofruar ndihmën e ndërsjelltë, shkëmbimin e të dhënave, përvojave, trajtimin e problemeve të ndryshme dhe ndihmën reciproke në sektorin minerar.
“Jemi të kënaqur nga bashkëpunimis midis Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet në Kosovë, një bashkëpunim që jemi të sigurt që do të vijojë”-, u shpreh kreu i AKBN, z. Dael Dervishi.
Më tej, anëtarët e Bordit të KPMM në Kosovë shprehën interesin e tyre lidhur me mënyrën e funksionimit të AKBN-së, e në veçanti të Drejtorisë Minerare që vepron brenda këtij institucioni. Z. Azbi Arapi, Drejtori i Drejtorisë Minerare bëri një përmbledhje të punës së kësaj drejtorie dhe ligjit minerar, duke u shprehur se “zbatimi me përpikmëri i ligjit, por edhe bashkërendimi midis institucioneve bën që shumë problematika si psh, shfrytëzimi minerar jo i ligjshëm të marrë zgjidhje”.
Takimi u zhvillua në formën e informimit mbi çështje si rehabilitimi mjedisor , mbetjet minerare etj, dhe mënyrën se si parashikon zgjidhjen ligji minerar i të dy vendeve.
Në përfundim të takimi përfaqësuesit e dy institucioneve ranë dakord për të zhvilluar vizita reciproke në miniera të ndryshme të vendit.