Dokumenta |
Strategjia e zhvillimit të sektorit energjitik është një dokument që analizon situatën aktuale dhe rekomandon veprimet dhe ndryshimet që duhet të ndërmerren për të ardhmen në sektorin e energjisë në Republikën e Shqipërisë. Në mënyrë të detajuar janë përfshirë të gjitha ndryshimet e nevojshme që duhet të ndodhin për të rritur sigurinë e furnizimit me burime energjitike dhe optimizimin e burimeve për mbulimin e nevojave me synim kryesor zhvillimin e qendrueshëm të mbarë ekonomisë për të ardhmen.
Gjatë hartimit të kësaj strategjie janë trajtuar një sërë çështjesh dhe i jepet përgjigje disa pyetjeve strategjike shumë të rëndësishme, si:
• Cilat interesa kombëtare në sektorin energjitik duhet të mbrohen dhe si?
• Si do të shpërndahen këto interesa kombëtare në nënsektorët e ndryshëm energjitik (naftë, hidroenergji, energji elektrike, gaz natyror, burime drusore, etj)?
• Si do të rritet konkurrenca dhe hapja e tregut në favor të konsumatorëve, pa shmangur përgjegjësitë e shtetit për funksionimin e sistemit energjitik dhe sigurisë së furnizimit?
• Cilat do të jenë kushtet e domosdoshme që duhen vendosur dhe plotësuar në një kohë sa më të shkurtër, që sistemi energjitik shqiptar të harmonizohet me atë të BE-së?
Disa drejtime të cilat kanë dalë si rezultat i analizave të gjata historike si për vendin tonë ashtu edhe për vende të ngjashme me ne dhe që kanë probabilitet të lartë të ndodhin për të ardhmen janë:
• Sistemi i ardhshëm energjitik duhet të jetë më shumë i orientuar drejt konsumatorit
• Sistemi i ardhshëm elektroenergjitik duhet të jetë më i diversifikuar në drejtim të përdorimit të të gjithë burimeve dhe të gjitha teknologjive energjitike
• Shumë më tepër vëmendje do t’i kushtohet përdorimit me eficencë të energjisë
• Të gjitha teknologjitë që do të zgjidhen për plotësimin e nevojave, duhet të mbështeten mbi parimin e kostos më të ulët, sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
• Burimet e rinovueshme të energjisë (diellore, HEC-et e vegjël, erës dhe biomasave) duhet të nxiten për të bërë të mundur shfrytëzimin në maksimum të burimeve lokale por njëkohësisht që mbështeten mbi parimin e kostos më të ulët dhe mbrojtjes së mjedisit.
Strategjia e sektorit energjitik është zhvilluar si një strategji kombëtare që ka në themel të saj interesat bazë të vendit dhe të qytetarëve/konsumatorëve të saj. Asnjë prioritet privat (për individë apo kompani të veçanta) i plotë apo i pjesshëm nuk është marrë parasysh përpara interesit kombëtar. Kjo çështje me rëndësi themelore është konkretizuar gjatë hartimit të koncept ideve për zhvillimin e tregjeve të energjisë elektrike, të naftës dhe nënprodukteve të saj, të gazit natyror, në të cilat funksioni publik, në mënyrë të qartë dhe të prerë, duhet të ndahet nga funksioni i ndërmarrjeve private duke pasur si objektiv bazë përmirësimin e tregjeve të energjisë. Për pasojë mbetja e pronësisë shtetërore në infrastrukturën transmetuese të energjisë elektrike dhe të gazit natyror, mbeshtetur në parimin e mosdiskriminimit dhe të neutralitetit përkundrejt secilit që do të blejë apo do të shesë energji, mbështetet në dokumentin themelor të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Qëllimi dhe Objektivat e Strategjisë Kombëtare të Energjisë
Qëllimi i Strategjisë të Energjisë është zhvillimi i një sektori energjitik efektiv që:
• garanton sigurinë e furnizimit me burime energjitike në përgjithësi dhe energji elektrike në veçanti,
• nxit perdorimin eficient, ekonomik dhe me ndikim minimal në mjedis, në mënyrë të tillë që sektori energjitik të jetë një sektor mbështetës për një zhvillim të qendrueshëm të të gjithë sektorëve ekonomik dhe shoqëror.
Objektivi kryesor i Strategjisë Kombëtare të Energjisë është:
Ristrukturimi i sektorit energjitik bazuar në parimet e ekonomisë së tregut dhe në zhvillimin e një politike bashkohore energjitike.
Objektivat specifike të Strategjisë Kombëtare të Energjisë janë:
1. Rritja e sigurisë dhe besueshmërisë në furnizimin me energji në përgjithësi dhe energji elektrike në veçanti si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal;
2. Krijimi i një sektori energjitik të aftë si nga ana financiare ashtu edhe nga ajo teknike;
3. Krijimi i një kuadri efektiv institucional dhe rregullator dhe ristrukturimi i plotë i kompanive të energjisë;
4. Rritja e eficencës së energjisë, si gjatë prodhimit ashtu dhe gjatë përdorimit të burimeve energjitike, me synim ndotjen minimale të mjedisit;
5. Optimizimi i sistemit të furnizimit me burime energjitike duke u mbështetur në konceptin e planifikimit me kosto më të ulët dhe ndikim minimal në mjedis;
6. Rritjen e ndjeshme të investimeve në sektorin e energjisë nëpërmjet tërheqjes së kapitalit nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare si dhe të kapitalit privat;
7. Krijimin e një tregu elektrik konkurrues bazuar në kërkesat e Bashkimit Europian për reformimin e sektorit elektroenergjitik (Direktiva 96/92 EU) dhe detyrat e Shqipërisë në kuadrin e Memorandumit të Mirëkuptimit të Athinës, (15 Nëntor 2002), për integrimin e sektorit elektroenergjitik shqiptar në Tregun Rajonal Energjitik të Europës Juglindore dhe interkonjeksionin me rrjetin e UCTE-së.