Më datë 11.01.2012 pranë zyrave të IFC-së u zhvillua një takim për prezantimin e 7 projekt-akteve nënligjore të projektligjit “Për efiçensën e energjisë” të hartura me asistencën e “Optima Legal” Studio, me konsulente ligjorë e IFC-së dhe specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).
Ky takim u organizua nga IFC-ja në kuadrin e projektit të “Efiçensës së Energjisë” për asistimin e AKBN-së në hartimin e akteve nën-ligjore të projekt-ligjit të “Efiçensës së Energjisë”. Draft aktet nën-ligjore janë si më poshtë:
1. Projekt-VKM – Liçencimi i Audituesve të Energjisë
2. Projekt-VKM – Çertifikata e Performancës në Energji
3. Projekt-Udhëzim – Regjistri i Çertifikatave të Performancës në Energji
4. Projekt-Udhëzim – Informimi për përmbajtjen, strukturat, kushtet dhe afatet lidhur me deklarimin e informacionit..
5. Projekt-VKM – Fondi i Eficiencës në Energji
6. Projekt-Udhëzim – Pajisjet lidhur me energjinë
7. Projekt-VKM – Për kërkesat minimale të Performancës në Energji të Ndërtesave
Fjala e hapjes në takim u mbajt nga Znj. Bajame Sefa, Drejtuese e projektit të efiçensës së energjisë në IFC, dhe më pas diskutuan përfaqësues të AKBN-së dhe Konsulentëve ligjorë të IFC-së “Optima Legal Studio”. Në këtë diskutim theksi u vu në rëndësinë e hartimit të këtyre akteve nën-ligjore që i mungojnë kuadrit rregullator dhe përmirësimin e akteve që nuk kanë gjetur përdorim deri më sot.
Me anë të këtyre akteve nën-ligjore ndër të tjera synohet:
• nxitja e zgjidhjeve/metodave të financimit lidhur me iniciativat për përdorimin me efiçencë të energjisë si dhe kursimin e energjisë;
• transformimi i sektorit publik në shembull të mirë për investimin, mirëmbajtjen dhe përdorimin e pajisjeve që konsumojnë energji dhe ndërmarrjen e masave të përmirësimit të metodave në shërbimin e energjisë dhe përdorimin me efiçencë të energjisë;
• edukimi i masës së gjerë, publikut/konsumatorit dhe përdoruesve të tjerë të energjisë si dhe autoriteteve shtetërore në lidhje me arritjen e objektivave të vendosura në politikën kombëtare për efiçencën e energjisë;
• sigurimi i bashkëpunimit midis konsumatorit, prodhuesve dhe shpërndarësve të energjisë në lidhje me arritjen e objektivave të vendosura në politikën kombëtare për efiçencën e energjisë;
• promovimi/nxitja e iniciativës private si dhe ndërmarrja e kostos efektive të efiçencës në energji për përdorimin me kujdes dhe konservimin/ruajtjen e energjisë;
• shmangia e influencës negative në mjedis dhe respektimin e prioriteteve shoqërore në promovimin e përdorimit me efiçencë të energjisë duke u bazuar në ndryshimet teknologjike dhe/ose ekonomike të vendit.
Dokumentat e diskutuara në këtë takim u pranuan në parim dhe komentet e bëra nga pjesëmarrësit për përmirësimin e tyre do të merren parasysh dhe do të pasqyrohen në këto dokumenta para dorëzimit zyrtar në AKBN, në fund të këtij muaji. Hartimi dhe mëtej aprovimi i akteve nën-ligjore të ligjit të Efiçensës së energjisë do të plotësojnë kuadrin ligjor të tij.