Ditën e enjte në datë 13.01.2011, u zhvillua një takim midis përfaqësuesve të Agencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, z. Gjergj Thomai, Drejtor Ekzekutiv, z. Enea Sherifi Drejtor i Drejtorise së Energjive të Rinovueshme e znj. Blerina Kazaferi, Shefe e Sektorit të Marrëdhenieve me Jashtë dhe përfaqësuesve të OSBE-se z. Robert Mangham, Këshilltar për Çështjet Ekonomike, Mjedisore dhe Reformën Rajonale në Departamentin e Mirëqeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, i shoqëruar nga përfaqësues të palës Shqiptare, në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Pas një prezantimi të shkurtër mbi vizionin dhe misionin e AKBN-se, z. Mangham shfaqi interes të vecantë përsa i përket fushës së Energjive të Rinovueshme në Shqipëri. Në këtë kuadër u diskutua për politikat që po ndiqen në sensibilizimin e popullsisë për efiçencën e energjisë dhe projektet për të ardhmen, sidomos në shfrytëzimin e erës si burim energjie.
Diskutimi vazhdoi mbi qëndrimin e qeverisë lidhur me problemet mjedisore, si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve dhe për projektet që kanë të bëjnë me informimin e pupullsisë për të qenë sa më transparent.
Në përfundim të dyja palët shfaqën hapur dëshirën dhe vullnetin për një bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen.