Në Universitetin Politeknik të Tiranës u organizua takimi i 4-rt i projektit REMINDNET – Recovery of Mining District Network, me temë “Best Practice Sharing”, i cili është një projekt gjithëpërfshirës, ndërdisiplinor nën kuadrin e Veprimit COST (Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji) që synon të adresojë sfidat komplekse të paraqitura nga minierat e mbyllura dhe të braktisura në të gjithë Evropën.
I pranishëm në këtë takim, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Z. Erlind Sulo, u shpreh se përtej promovimit të aktivitetit minerar, jemi thellësisht të përkushtuar për të mbikëqyrur dhe monitoruar këto operacione për t’u siguruar që ato përmbushin standardet më të larta të sigurisë, mjedisit dhe teknike.
“Synimi i AKBN është të sigurojë që trashëgimia e minierave të mos jetë barrë për brezat e ardhshëm. Ne punojmë shumë për të ndërtuar dhe miratuar hartat e rrezikut për zonat minerare, duke i monitoruar ato për të vlerësuar ndikimet e mundshme negative dhe duke propozuar masa në kohë për të zbutur këto rreziqe.
Me rëndësi të veçantë është puna në menaxhimin e mbylljes dhe pas mbylljes së minierave, pasi AKBN është përgjegjëse për vlerësimin, monitorimin dhe rehabilitimin e minierave të mbyllura për të siguruar që këto zona të mos përbëjnë më rrezik për mjedisin dhe komunitetet tona” – u shpreh z. Sulo.
Drejtori i AKBN shtoi se është i kënaqur për përfshirjen e Shqipërisë në një nismë të rëndësishme evropiane që trajton menaxhimin e trashëgimisë minerare dhe që kontribuojmë në këtë përpjekje, pasi Shqipëria ndan shumë nga të njëjtat sfida me të cilat përballen vendet e tjera evropiane. Kjo nismë do të na ndihmojë të mësojmë nga njëri-tjetri, të shkëmbejmë njohuri dhe të ndërtojmë kapacitete për të ardhmen.
Qëllimi kryesor i REMINDNET është të krijojë një qasje të integruar për menaxhimin e ndikimeve mjedisore dhe sociale të trashëgimisë minerare, duke promovuar një model menaxhimi të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm që mund të miratohet në të gjithë Evropën. Ndër objektivat e REMINDNET është krijimi i një baze të dhënash gjithëpërfshirëse të trashëgimisë minerare në Evropë, duke përdorur QGIS për vizualizim dhe shpërndarje me akses të hapur. Kjo bazë të dhënash do të përfshijë informacion mbi ndikimet mjedisore, përpjekjet rehabilituese, kuadrin ligjor dhe qeverisës dhe praktikat e menaxhimit.
Lehtësimi i bashkëpunimit përmes takimeve të rregullta, seminareve dhe konferencave do t’u mundësojnë partnerëve të ndajnë informacione, të krahasojnë praktikat dhe të gjejnë zgjidhje për sfidat e përbashkëta.