Nr.386, datë 20.5.2011
PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRDORIMIN E TË DHËNAVE MINERARE TË NJË LEJEJE MINERARE
Në zbatim të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 50, pika 6 dhe nenit 56, pika 2 të ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”,
1. Të gjitha të dhënat për burimet minerare në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nga mënyra e ruajtjes së tyre, i përkasin shtetit shqiptar dhe i vihen në dispozicion strukturës përgjegjëse, me kërkesë të kësaj të fundit, dhe në përputhje me dispozitat e ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
2. Të dhënat teknike dhe provat studimore, që zotërohen nga strukturat përgjegjëse si rezultat i punës së këtyre strukturave, të cilat i përkasin shtetit shqiptar disponohen dhe përdoren në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
3. Të dhënat teknike dhe provat studimore që zotërohen nga strukturat përgjegjëse të përftuara nga informacionet e detyrueshme të zotëruesve të lejeve minerare janë konfidenciale.
4. Të dhënat teknike dhe provat studimore që zotëruesi i lejes minerare i krijon gjatë realizimit të veprimtarisë së tij minerare dhe janë pjesë e informacioneve të detyrueshme që zotëruesi i lejes minerare realizon te strukturat përgjegjëse janë konfidenciale. Zotëruesi i lejes minerare mund të shfrytëzojë të dhënat e sipërpërmendura vetëm në interes të atij vetë dhe vetëm gjatë afatit të vlefshmërisë së lejes minerare. Transferimi i këtyre të dhënave nga zotëruesi apo ish-zotëruesi i lejes drejt palëve të treta mund të bëhet vetëm pas miratimit paraprak nga struktura përgjegjëse dhe duke respektuar legjislacionin shqiptar për të drejtat e autorit.
5. Të dhënat për pagesat e taksave vendore dhe kombëtare nuk quhen konfidenciale. Të dhënat për pagesat e taksave vendore dhe kombëtare publikohen në kuadër të transparencës me publikun për veprimtaritë minerare.
6. Çdo aplikues për një të drejtë minerare mund të përdorë të dhënat e marra nga strukturat përgjegjëse apo zotërues të mëparshëm të lejeve minerare, duke ruajtur konfidencialitetin e tyre dhe duke deklaruar burimin e tyre në momentin e aplikimit.
7. Përdorimi i të dhënave teknike dhe provat studimore, që zotëruesi i lejes minerare i krijon gjatë realizimit të veprimtarisë së tij minerare dhe që janë konfidenciale mund të përdoren kur zotëruesi i këtyre të dhënave është dakord që të ndiqet radha, si më poshtë:
a) përfundimi i afatit të së drejtës minerare;
b) zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit kryen aplikim për leje minerare shfrytëzimi;
c) lënia e zonës, në të cilën janë marrë të dhënat teknike, dhe provat studimore;
d) dy vjet më pas nga data e marrjes së këtyre të dhënave dhe provave prej strukturës përgjegjëse;
e) publikimi i të dhënave të tilla.
Nuk mund të kryhet ekzekutimi i pikës pasardhëse para asaj paraardhëse.
8. Përcaktimet e pikës 6 nuk mund të kufizojnë të drejtën e shtetit për të përdorur një informacion të tillë për përgatitjen e raporteve ekonomiko-financiare apo dhe tekniko-shkencore që i nevojiten atij.
9. Rezultatet e provave studimore që përfshijnë analizat kimike, mineralogjike, petrografike, studimet teknologjike etj., në kuadër të raportit përfundimtar me mbylljen e afatit të lejes minerare dorëzohen pranë institucionit të SHGJSH-së për lejet e kërkim-zbulimit dhe në AKBN për lejet e shfrytëzimit. Kampionatura për rezultatet përbehet nga:
a) Për shpimet e realizuara në lejet e kërkim-zbulimit, zotëruesi i lejes dorëzon te SHGJSH-ja: grafikisht kolonat gjeologjike të shpimeve, dublikatat e mostrave të analizave kimike, ku është kapur trupi minerar, shlife dhe anshlife përfaqësuese nga studimet mineralogjike dhe petrografike, si dhe përshkrimin e tyre.
b) Për provat e trajtimit të mineralit, zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit, shfrytëzimit apo kërkim-zbulim-shfrytëzimit dorëzon grafikisht skemën teknologjike me parametrat e realizuar për çdo produkt të skemës që përfshijnë: sasinë, cilësinë, rikuperimin, përmbajtjen e të ngurtës, dublikata të analizave kimike të produktit përfundimtar dhe përshkrim të parametrave të pajisjeve të përdorura në skemën teknologjike.
10. Struktura përgjegjëse dhe autoritetet e tjera shtetërore që kryejnë funksione shtetërore në fushën minerare, janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të marra nga zotëruesit e lejeve minerare apo të të dhënave, për të cilat kanë marrë dijeni gjatë ushtrimit të funksionit të tyre e që përbëjnë sekret tregtar në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shkelja e këtij detyrimi ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.
11. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen institucionet e SHGJSH-së, AKBN-së dhe drejtoria përgjegjëse në METE që trajton problematikat e lejeve minerare. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
MINISTRI I EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
Nasip Naço