VENDIM
Nr.1109, datë 30.7.2008
PËR SIGURIMIN PUNONJËSVE, TË PUNËSUAR NË VEPRIMTARINË MINERARE, NGA AKSIDENTET NË PUNË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 40 të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 91 e 93 të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994 “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i MinistraveVENDOSI:1. Personat, që zotërojnë leje për të ushtruar veprimtari minerare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, detyrohen të kryejnë sigurimin e punonjësve të tyre nga aksidentet personale në punë, sipas një kontrate, pranë një shoqërie sigurimi.
2. Kontrata e sigurimit të punonjësve nga aksidentet personale në punë duhet të mbulojë rastet e:a) humbjes së jetës;
b) paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme;
c) paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme.
3. Shuma për çdo punonjës të siguruar, e përcaktuar në formularin e kontratës së sigurimit, nuk mund të jetë më e ulët se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë.
4. Tarifa e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 për qind e shumës së siguruar, të shënuar në formularin e kontratës së sigurimit.
5. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit, sipas dëmtimeve shëndetësore, miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në mbështetje të pikës 8 të nenit 14 të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”. Këto kushte shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve, për sigurimin e punonjësve, në përputhje me pikën 1 të këtij vendimi.
6. Periudha e veprimtarisë minerare, e përcaktuar sipas të drejtave minerare, të përfituara nga lejet minerare, duhet të jetë e mbuluar nga kontrata e sigurimit, e cila mund të jetë vjetore dhe e rinovueshme çdo vit ose për të gjithë kohën e veprimtarisë minerare.
7. Subjektet minerare, që do të pajisen me leje minerare sipas kërkesave të ligjit minerar të Shqipërisë, duhet të kryejnë sigurimin e punonjësve ndaj aksidenteve, përpara fillimit dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre minerare.
8. Subjektet minerare, të pajisura me leje minerare e që sot zhvillojnë veprimtari minerare, brenda një periudhe 90-ditore nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të realizojnë sigurimin e punonjësve të punësuar ndaj aksidenteve.
9. Subjektet minerare duhet të paraqesin, pranë strukturave përgjegjëse, në ministrinë, që mbulon veprimtarinë minerare, dokumentet që vërtetojnë sigurimin ndaj aksidenteve. Fillimi ose vazhdimi i veprimtarisë minerare kryhet pas konfirmimit nga këto struktura se sigurimi është në përputhje me kërkesat e këtij vendimi.
10. Shoqëria nuk do ta ushtrojë veprimtarinë minerare deri në çastin e paraqitjes dhe të miratimit të këtij dokumenti në organin, që ka lëshuar lejen minerare. Mosrespektimi i një detyrimi të tillë vlerësohet shkelje e dispozitave të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994 “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe trajtohet, sipas kapitullit të masave ndëshkuese të këtij ligji, me vlerën e gjobës maksimale dhe heqjen e të drejtave minerare.
11. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI Sali Berisha