Nr.1306, datë 24.9.2008
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1203, DATË 27.8.2008 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË SAKTË, NË PËRQINDJE, TË RENTËS SË PASURISË MINERARE, SIPAS VLERËS SË TREGUT, PËR ÇDO MINERAL APO GRUP MINIERALESH”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 4 të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.1203, datë 27.8.2008 të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1.Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Në rastet kur mineralet përdoren për prodhim nënproduktesh (koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike), të cilat eksportohen, renta minerare do të aplikohet në doganë, mbi vlerën e mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Kjo vlerë do të llogaritet në bazë të faturave të shitjes së sasisë së mineralit, të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Në rastin kur eksportuesi i nënproduktit
(koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike) është njëkohësisht edhe prodhues i mineralit, përqindja e rentës minerare do të llogaritet mbi koston e prodhimit (nxjerrjes) të mineralit të përdorur. Kjo vlerë përcaktohet në bazë të sasisë së produktit përfundimtar (koncentrat apo prodhime metalurgjike), të deklaruar në doganë, si dhe të normativave korresponduese të mineralit të përdorur. Normativat dërgohen periodikisht nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pranë Ministrisë së Financave, dhe publikohen në uebsaitin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.”.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Për të gjitha kategoritë e tjera të nënprodukteve minerare, të cilat mund të derivohen nga mineralet e përcaktuara në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.1203, datë 27.8.2008 të Këshillit të Ministrave, dhe për të cilat Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nuk ka përcaktuar normativa korresponduese të mineraleve, që janë përbërës të këtij nënprodukti, kur zotëruesi i lejes së
shfrytëzimit të mineralit është njëkohësisht edhe përpunues, renta minerare do të aplikohet mbi koston e prodhimit (nxjerrjes) të mineralit, kosto, e cila deklarohet nga prodhuesi dhe paguhet pranë organeve tatimore, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e Ministrit të Financave.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha