Pas një periudhe më shumë se 4 vjeçare kërkimi në Blloqet 2 dhe 3, kompania Royal Dutch Shell Plc. dhe kompania Petromanas Energy Inc. njoftuan në datën 4 Nëntor 2013 rezultatet pozitive të testit të pusit Shpiragu-2…
Këto operacione kërkimi ishin në vijim të punimeve të kërkimit të kryera nga ana e specialistëve shqiptarë të naftës në vitet 80-90 dhe atyre të kryera nga kompania Occidental Petroleum Corporation në vitet 2000-2005.
Deklarimi i këtij zbulimi është materializimi i punës dhe përpjekjeve të kompanive që kanë punuar për kërkimin e naftës dhe gazit në këtë strukturë karbonatike, ndërkohë që hap perspektiva reale për kërkimin në vijim të këtij vargu strukturor (Molishti-1 më në Jug), apo edhe në breza të tjerë me modele gjeologjike të ngjashëm.
Nga ky test rezultoi që pusi kishte debite që luhateshin 800-1300 fuçi/ditë naftë dhe 55 000-140 000 Nm3 gaz shoqërues. Duke ekuivalentuar sasinë e gazit në naftë debitet totale luhaten 1500-2200 fuçi/ditë. Nafta është e një cilësie të mirë, e lehtë (35 deri 37 gradë API, ose 0.823-0.832 gr/cm3), me përmbajtje të ulët të H2S (deri 6000 ppm ose 0.6%) dhe pa përmbajtje uji.
Është hapur dhe testuar një prerje karbonatike prej 400 m, ndërkohë që kompanitë mendojnë se kati naftëmbajtës duhet t’i kalojë 800 m.
Kompanitë Royal Dutch Shell Plc. dhe Petromanas Energy Inc. janë duke kryer një program ambicioz kërkimi në Blloqet 2 dhe 3. Është duke u shpuar një pus tjetër kërkimi më në jug të Shpiragut, pusi Molishti-1, i cili parashikohet të shpohet deri në thellësinë 5500 m, si dhe janë duke përfunduar 450 km punime sizmike 2D, të cilët do të japin një tabllo më të qartë të ndërtimit gjeologjik të rajonit.